Ministry of Education and Sports

Qasje e re kurrikulare për një vizion bashkëkohor

Me ftesë të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të Republikës së Kosovës, z. Ramë Buja, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla zhvilloi një vizitë dy ditore në kryeqytetin kosovar për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Qasja e re kurrikulare – sfidë e së ardhmes”, organizuar nga MASHT në datat 15 dhe 16 Prill.

Në këtë konferencë merrnin pjesë ministra dhe zëvendësministra të arsimit nga vendet e rajonit, si dhe personalitete e akademikë të fushës nga rajoni dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të aprovimit të kornizës së re kurrikulare për arsimin parauniversitar kosovar, orientuar nga qasja dhe bazuar në objektiva drejt qasjes e në kompetenca dhe rezultate të të nxënit, qëllimi i kësaj konference ndërkombëtare ishte ndarja e përvojës kosovare me shtetet e rajonit, shtetet anëtare të reja të BE-së dhe vendet e zhvilluara në nivel të BE-së e më gjerë.

Në fjalën e saj përpara pjesëmarrësve në këtë konferencë, ministrja Nikolla, duke falënderuar organizatorët dhe të pranishmit për organizimin e kësaj konference ndërkombëtare me rëndësi të madhe për kontributin në zhvillimin e arsimit rajonal u shpreh se: “Qasja e re kurrikulare merr parasysh vizionin bashkëkohor rreth nxënies, dijes, njohurisë, inteligjencës, vlerave dhe qëndrimeve dhe krijon mundësi më të mëdha për të shtjelluar dhe për të kuptuar kurrikulën e bazuar në kompetenca. Ndihemi me fat që në përballjen me sfidat e procesit reformues, kemi arritjet, përvojat dhe bashkëpunimin e kolegëve dhe specialistëve të Kosovës. Harmonizimi i sistemit tonë parauniversitar me sistemin arsimor të Kosovës dhe sistemit arsimore evropian, do të zhvillojë në vijimësi kapacitetet e sistemit arsimor për nxënie cilësore.”

Nga ana e tij, ministri Buja, u shpreh se: “Ekipi i përbashkët i punës po mundëson që kurrikula të arrijë nivelin më të lartë të zhvillimit të arsimit në nivel kombëtar. Ne synojmë integrimet evropiane dhe shtroi pyetjen sesi mund të mos jemi të integruar vetë ne. Të integrohemi brenda nesh, të komunikojmë lirshëm në mënyrë që të rezultojmë të suksesshëm dhe pastaj të shkojmë të sigurt drejt Bashkimit Evropian”

Shqipëria dhe Kosova janë duke ecur me shpejtësi drejt unifikimit konceptual të sistemit arsimor mes dy vendeve. Kjo është dhe një nga nismat kryesore të qeverisë shqiptare, që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të hidhen piketat e pas mbledhjes së përbashkët në Prizren për zbatimin e objektivave të lëna në këtë takim. Në këtë kuadër, në këtë konferencë, mes dy homologëve, ministres Nikolla dhe ministrit Buja, u konfirmua gjithashtu që në një kohë shumë të shkurtër do të shpaloset jo vetëm korniza e përbashkët, por dhe përfitueshmëria e lartë që ky proces pritet të sjellë për vetë sistemin tonë arsimor dhe për vetë nxënësit e komunitetin e mësuesve në Shqipëri dhe Kosovë.

Më pas takimi vazhdoi me panele të tjera të nivelit teknik, me përfaqësues nga rajoni dhe BE, ku diskutimet kryesore patën në fokus kurrikulën, duke sjell shembuj dhe praktika të suksesshme, kryesisht nga vendet e zhvilluara të BE-së.