Ministry of Education and Sports

Korrupsioni na dëmton të gjithëve, së bashku mund ta luftojmë

Sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Prokuroria Shqiptare, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar, me temë “Korrupsioni na dëmton të gjithëve; së bashku mund ta luftojmë”. 
 
Ky aktivitet zhvillohej në kuadër të mbylljes së fushatës sensibilizuese kundër korrupsionit ku Prokurorët e Njësive të Përbashkëta Hetimore kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit zhvilluan disa prezantime para nxënësve të vitit të parë të shkollave të mesme publike në qytetet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës. 
 
Gjatë fjalës së saj në këtë ceremoni, ministrja Nikolla, duke falënderuar nismëtarët e kësaj fushate tha se: “Ndjehem mirë sot nëpërmjet këtij aktiviteti që kërkon të konsolidojë demokracinë në vendin tonë nëpërmjet gjithë këtyre ideve që bëjnë thirrje për bashkëpunim për të kundërshtuar me forcë korrupsionin, dhe për të vepruar tani dhe jo nesër. Ky takim, na angazhon dhe më tej për të bërë më të mirën që korrupsioni të luftohet përmes sistemeve të shëndetshme të transparencës dhe llogaridhënies.”
 
Ministrja Nikolla, gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të revoltohen ndaj këtij fenomeni, duke e treguar me gisht dhe denoncuar atë. Kjo duhet filluar nga shkolla, për të treguar që nota nuk blihet, që diploma nuk shitet, që profesioni i nderuar i mësuesit duhet të veprojë përmes kornizës që është etika e profesionit, që të gjithë bashkë t’u mësojmë fëmijëve tanë që të distancohen nga ky fenomen. Edhe pse deri më tani shteti ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, ministrja u shpreh se Qeveria është e angazhuar për një luftë frontale kundër korrupsionit nëpërmjet krijimit të institucioneve të shëndetshme. Ajo bëri thirrje që kjo duhet orientuar më së pari drejt shkollave, aty ku formëzohen personalitetet e qytetarëve të ardhshëm të gjeneratës tjetër të shqiptarëve. 
 
Gjatë kësaj fushate, nxënësit u ftuan të paraqisnin pranë shkollave të tyre punime artistike origjinale me temë kundër korrupsionit. Secila shkollë përzgjodhi punimet e dy nxënësve për t’u ekspozuar në këtë aktivitet. Punimet lidhen me ndikimin që ka korrupsioni mbi shoqërinë shqiptare dhe arsyen se pse duhet ta luftojmë atë. 
 
Në mbyllje të kësaj ceremonie një nxënës nga secili qytet u shpall fitues i punimit me mesazhin shoqëror më të fuqishëm. Punimet e tyre do të përdoren në fushata informuese kundër korrupsionit.