Ministry of Education and Sports

Konkurim Vlerash

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në shkollën “Sadik Stavileci”, në komunën Kashar, ku u zhvillua aktiviteti rajonal “Konkurim vlerash”, një aktivitet ky në kuadër të projektit “Shkolla si Qendra komunitare”.
 
Gjatë këtij aktiviteti u prezantuan punimet artistike më të mira të nxënësve të shkollave të mesme në administrimin e DAR qarkut Tiranë. Në këtë ceremoni, ishin të ftuar, prefekti i Tiranës,z.Vorpsi, kryetari i komunës së Kasharit, z. Fuçia, drejtoresha e DAR Tirana qark, znj. Metani, përfaqësues nga pushteti vendor i këtij qarku, si dhe të pranishëm të tjerë mësues, prindër, nxënës dhe pjesëtarë të komunitetit.
 
Në fjalën e saj, duke falënderuar nxënësit që mundësuan këtë panair vlerash artistike, por edhe aktorët e mbështetësit që mundësuan aktivitetin, ministrja Nikolla u shpreh se: “Më vjen shumë mirë që Qarku i Tiranës shërbeu si dallëndyshja e parë e promovimit të projektit “Shkolla si Qendër komunitare”. Sot ju vini me një ekspozitë të tillë, duke e quajtur konkurim vlerash. Duket sikur ky konkurs rreket në një ishull të ngushtë që lidhet me talentin tuaj, por në fakt ju sot keni vënë më shumë se sa talentin tuaj, keni dhënë në një ftesë të hapur për të gjithë ne, përfaqësues të pushtetit vendor, qendror, shkollave, universiteteve, drejtorive arsimore, dhe mësuesve tuaj, që t’ju vinë pas për t’ju mbështetur dhe për ta orientuar shkollën krah talentit tuaj. Së bashku t’i japim një frymarrje të re shkollës edhe nëpërmjet konceptit të Shkollës si Qendër komunitare. Sot, ishte shembulli më i mirë i bashkëpunimit prindër-mësues-nxënës-pushtet lokal-qeveri, i cili na tregoi se së bashku, ne, të mund të kemi një cilësi krejtësisht tjetër në arsim, si gjatë orëve të mësimit, por pse jo dhe pas orëve të mësimit. Ne kemi filluar me projektin pilot “Shkolla si Qendra komunitare”, në 66 shkolla anë e mbanë Shqipërisë, për të shërbyer me forcën e shembullit, në mënyrë që aktivitete të tilla, vlera të tilla, qendra të tilla, të bëhen pjesë e përditshme e arsimit parauniversitar në Shqipëri.”

Ministrja theksoi se përmes këtij partneriteti synohet t’i jepet shkollës vlera që ajo meriton, për ta kthyer atë në një pikë fokusuese të komuniteteve tona e për të përmbushur një mision madhor, atë të edukimit të vlerave dhe të qëndrimeve të qytetarisë evropiane. Ndaj, ideja e shkollës së hapur dhe miqësore, në bashkëpunim me gjithë pjestarët e komunitetit dhe qeverinë, do të mundësojë që talente të tilla, të shndërrohen në modele reference për të gjithë fëmijët e tjerë të këtyre komuniteteve.

Qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është nxitja e natyrës krijuese promovimi i talenteve, rritja e veprimtarise organizative të shkollave në funskion të ridimensionimit aktiv të jetës së shkollave në kuadër të projektit të MAS “Shkollat si Qendra Komunitare”.
 
Në përfundim të aktivitetit, për punimet më të mira, DAR Tirana Qark u shpërndahu çmime nxënësve të përzgjedhur nga një juri profesionishtësh të artit.