Ministry of Education and Sports

Protokolli i parë i Bashkëpunimit shkencor-teknologjik ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë

Në datat 23-24 prill 2014 u mbajt në Tiranë takimi i parë i Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Austriak për bashkëpunim shkencor-teknologjik në zbatim të marrëveshjes qeveritare për këtë qëllim, nënshkruar në maj 2012.

Pala shqiptare kryesohej nga Z. Arbjan Mazniku, Zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, ndërsa pala austriake nga znj. Evelyn von Bülow, përfaqësuese e Ministrisë për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme e Republikës së Austrisë. Gjatë takimit ekspertët austriakë ofruan informacione të vlefshme mbi politikat shkencore dhe kërkimore në vendin e tyre dhe diskutuan me ekspertët shqiptarë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kërkimore-shkencore të të dy vendeve tona.

Duke njohur rolin e ndikimin pozitiv të shkencës dhe teknologjisë në zhvillimin ekonomik, social e kulturor të një vendi, kryetarët e delegacioneve të të dy palëve nënvizuan rëndësinë që mbart bashkëpunimi dhe shkëmbimi ndërkombëtar për sistemin shkencor në të dyja vendet. Komisioni i përbashkët diskutoi dhe miratoi një program konkret pune për vitet 2015-2016, nëpërmjet të cilit do të ofrohet mbështetje financiare për mobilitete/shkëmbime në kuadër projektesh të përbashkëta kërkimore-shkencore, të hartuara bashkarisht nga kërkues e shkencëtarë shqiptarë dhe austriakë.

Ekspertët u shprehën besimplotë se zbatimi i këtij programi, përveç se do të ndihmojë në vendosjen dhe thellimin e marrëdhënieve midis institucioneve shkencore e shkencëtarëve të të dy vendeve,  do të bëjë të mundur që ata të shfrytëzojnë të gjithë dijet e tyre shkencore në mënyrë sa më të frytshme në projekte rajonale e shumëpalëshe. Në këtë këndvështrim, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet atyre projekteve që do të çojnë në zhvillimin e programeve të përbashkëta rajonale e evropiane, pjesëmarrëse në Programin në Kuadër të BE-së për Kërkimin dhe Inovacionin “Horizont 2020”.

Në mbyllje, Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Z. Arbjan Mazniku, shprehu bindjen e thellë se projektet e përbashkëta shqiptaro-austriake në veçanti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në kërkim dhe shkencë në përgjithësi, do të krijojë terren të përshtatshëm për reformin e sistemit të arsimit të lartë shqiptar dhe afrimin e tij drejt standarteve evropiane.