Ministry of Education and Sports

Festivali i Librit dhe i Artit Pamor, një art vlerash pa mure

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në “Festivalin e Librit dhe artit”, një nga aktivitetet më të mëdha kulturore, që hapi dyert për publikun në Ditën Ndërkombëtare të Librit, brenda mjedisit  të Muzeut Kombëtar.  Aktiviteti, me përmasa të mëdha, përfshin dy fusha tejet të rëndësishme të kulturës: artet pamore dhe botimet shqiptare, i cili do të zgjasë 4 ditë, deri më 27 prill 2014.

Në fjalën e saj përshëndetëse për këtë panair të madh vlerash kulturore, ministrja Nikolla u shpreh: “Jam në fakt, këtu ,sot për të parë këtë vepër të artit pamor, apo “pamur”, siç e quan z. Myrtezaj. Ky që shohim sot është vërtet arti pa mure, i kthyer në një mjedis vlerash nga ato të vërtetat që na nxit të tërëve, të reflektojmë thellë për kultivimin dhe gjenerimin e këtyre vlerave. Unë personalisht ndihem e lumtur që shumë nxënës dhe studentë janë pjesë e vizitorëve.”
 
“Përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë këta artistë të nderuar, qytetarë të dorës së parë, që të bëhen pjesë edhe e eksperiencave të tjera, për t’a përcjellë këtë llojë ndjesie në ato shkolla, që ne po punojmë, fort për t’i kthyer në shkolla qendra të komuniteteve. Në mënyrë që shkrimtarë, autorë të rinj, artistë, të kenë mundësi të zhvillojnë debate të zhanreve të tilla në shkollat si qendra komunitare,  jo vetëm me nxënësit e  shkollave, por edhe me mësuesit, me prindërit dhe komunitetin. Ndërkohë që gjithë konteksti i ri i kurrikulave të reja në të cilat do përfshihet tërë sistemi i arsimit parauniversitar, ofron formime të tilla kompetencash që vijnë përmes edukimit të librit, kultivimit të artit dhe kulturës. Sapo përfunduam lançimin e shkollave “Mik i Monumentit”, po punojmë gjithashtu dhe me bibliotekat e shkollave që t’i kthejmë në mjedise të populluara nga nxënesit e shkollave, prindërit dhe mësuesit, duke mundësuar një situatë të re që nëpërmjet aktiviteteve të tilla të kemi të qartë edhe fondin e librave që ju duhen këtyre bibliotekave, për të bërë më shumë dhe për bibliotekat dixhitale, sigurisht dhe në bashkëpunim me këtë komunitet autorësh, të botuesve të librave dhe të artit pamor.” – u shpreh Ministrja Nikolla.

Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip, që nisi të ekzistojë dy vjet më parë, nën drejtimin e të ndjerit e të mirënjohurit Ardian Klosi, me pjesëmarrjen e disa prej botuesve më seriozë shqiptarë: Shtëpia botuese "Toena", Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, "Skandërbeg Books", "Omsca", "Kuteli", botimet "Dudaj", "Botart" etj.

Qëllimi kryesor është t’i japim sa më shumë jehonë, duke ftuar të gjithë njerëzit, të të gjitha moshave e gjinive, të vijnë të na vizitojnë në këtë Festival, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili pritet të jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme, që nga ato të artit pamor, animime muzikore e deri te forumet për letërsinë, promovime librash, lexime nga aktorë.