Ministry of Education and Sports

Sipërmarrësit e rinj, një forcë e rëndësishme kontribuese për të ardhmen e vendit

Këtë të shtunë në ambientet e City Park, u zhvillua Edicioni II-të i Panairit dhe Konkursit Kombëtar nga Shoqëritë Sipërmarrëse të Nxënësve.

Nxënës nga gjimnaze të ndryshme të vendit kishin prezantuar nëpër stenda produktet e tyre inovative. Sipërmarrja mbante vlera të shtuara jo vetëm për ide, nisma dhe prurje të reja biznesi, por shërbente edhe si një motorr zhvillimor për të rinjtë shqiptarë, duke stimuluar potencialin e tyre dhe aftësitë krijuese dhe prodhuese. Të rinjtë sipërmarrës janë padyshim ,forcë e rëndësishme kontribuese në rritjen e mëtejshme ekonomike të vendit tonë.

Shoqëria, që shpallet fituese në nivel kombëtar, do të ketë mundësinë për të konkurruar më tej, duke përfaqësuar Shqipërinë në konkursin Pan-evropian të shoqërive të nxënësve.

Fjala e Ministres Nikolla në Edicionin e II-të të Panairit dhe Konkursit Kombëtar nga Shoqëritë Sipërmarrëse të Nxënësve:

Mirëqenie! Bëjmë gjithçka për të krijuar mirëqenie, për ne e për familjet tona, për shoqërinë. Ajo që formëzon, krijon kohezion në shoqëri të përfshira në demokracinë si proces, është aftësia e një shoqërie për të krijuar të mira për të gjithë, ku të gjithë përfitojnë nga zhvillimet dhe ndryshimet ekonomike të një vendi.

Mendoj që kjo është fryma e duhur që ne duhet të përcjellim tek ju, pikërisht në momentin kur ju filloni të kuptoni çdo të thotë talent, aftësi, prirje për të bërë diçka e për ta bërë mirë.

Në rang vendi, janë krijuar mbi 65 mini-biznese, të themeluara nga nxënës maturantë të rrjetit Junior Achievement, të cilat kanë funksionar realisht dhe kanë përshkuar të gjithë ciklin e një biznesi, duke filluar nga “a”-ja deri tek “zh”-ja, nga konceptimi i idesë së bisnezit dhe realizimi i saj. 
Junior Achievement, zbatohet këtë vit shkollor 2013-2014 në kurrikulën me zgjedhje të lirë, të integruar në 95 shkolla të mesme të vendit, përfshirë shkolla të mesme të përgjithshme, profesionale dhe 3 private. Në këtë rrjet përfshihen 7.400 nxënës dhe 113 mësues.

Vitin e ardhshëm akademik, rrjeti Junior Achievement në rang vendi pritet të zgjerohet në 150 shkolla të mesme duke përfshirë mbi 17,000 nxënës dhe  mbi 160 mësues.

Shifra këto, që e bëjnë akoma dhe më të rëndësishme nevojën për të edukuar tek brezi i ri parime dhe koncepte, mbi të cilat ndërtohen shoqëritë demokratike me modele zhvillimore që synojnë zhvillim të qëndrueshëm.

Një mentalitet që përfitohet në sajë të eksperiencave me në thelb formimin e përgjegjshmërisë dhe ndjesisë së vlerës së lekut, ndjesinë e mirë-menaxhimit financiar dhe pavarësinë ekonomike, duke gjeneruar të ardhura në sajë të punës dhe inisiatives së lirë.

Ky panair përfaqëson kurorëzimin e punës dhe krijimtarisë suaj, maturantë. Jetësimi i transformimit të ideve në vepra të mirëfillta është  fryt i përkushtimit dhe këmbënguljes falë punës në ekip!

Dhe është pikërisht, shkolla vendi që mundëson një edukim të mirëfilltë të brezave me këto parime. Sepse ky projekt nuk është thjesht doing business por ka të bëjë me formimin e një mentaliteti sipërmarrës të ri.

Gjithashtu,Junior Achievement është një tjetër projekt që jetëson projektin tonë “Shkolla Qendër Komunitare”.

Ky projekt po zbatohet 66 shkolla në të gjithë vendin. Për këtë, në nivelin qendror dhe vendor është ngritur rrjeti i koordinatorëve, të cilët po punojnë intensivisht për realizimin e tij. Gjithashtu, MAS-i ka siguruar edhe mbështetjen e disa donatorëve të huaj, të interesuar në fushën e arsimit dhe që aktualisht bashkëpunojnë me shumicën e këtyre shkollave, në kontekstet vendore. Janë formuluar dokumentet strategjike si “Standardet e Shkollës Qendër Komunitare” dhe po punohet për hartimin e një udhëzuesi praktik, i cili do të orientojë shkollat rreth kësaj nisme.

Kam kënaqësinë të falënderoj sot,  Fondin Amerikan të Zhvillimit dhe të gjithë partnerët privatë që mundësuan këtë panair, në një partneritet të ri në mbështetje të edukimit cilësor, të brezave të sipërmarrësve të ardhshëm.

Duke ju falënderuar dhe njëherë, ju uroj suksese në punën tuaj.