Ministry of Education and Sports

Vlerat dhe rezultatet, modeli elitar i të rinjve

Sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në shkollën e mesme “Arben Broci”, me temë “Nxënësit elitar dhe edukimi i karrierës”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të zbatimit të projektit “Shkolla si Qendra Komunitare”, një nga synimet e të cilit është rritja e cilësisë së shërbimit në shkolla dhe mbështetja ndaj nxënësve elitarë.

Gjatë këtij takimi, pedagogë nga Universiteti, prezantuan përpara mësuesve dhe nxënësve nismën dhe objektivat e këtij projekti, si edhe për inisiativën për edukimin e karrierës për maturantët e interesuar të cilët do te ndekin e fakulteteve të ndryshme, pas mbarimit të cilklit të lartë të mesëm.

Në fjalën e saj, ministrja Nikolla, duke shprehur vlerësimet e saj për këtë shkollë, ku dikur ka qenë edhe ajo vetë pjesë e stafit pedagogjik, theksoi se: “Është e rëndësishme që të përshtatemi qysh në shkollë të mesme me atë që tregu i punës kërkon. Për t’u bërë jo vetëm qytetarë të sukseshëm, por pse jo edhe sipërmarrës të sukseshëm të të gjitha fushave. Ndër vite kjo shkollë ka pritur fëmijë nga komunitete të ndryshme të Shqipërisë, por ky mjedis, kjo shkollë, i ka rritur dhe edukuar këta fëmijë, si qytetarë, duke mos bërë asnjë diferencim, por përkundrazi, duke mundësuar që ata të sillen dhe të jenë individualitete të integruara të qytetarisë të kryeqytetit. Ne jemi të angazhuar dhe të vendosur bashkarisht si një ekip qeveritar, që të mundësojmë që shkollat të jenë qendra të edukimit të personaliteteve të gjeneratës së nesërme evropiane. Ne po punojmë që shkollat të jenë qendra të hapura për komunitetin, ku prindërit, mësuesit, nxënësit, anëtarët e ekipit qeveritar e pushtetit vendor, të jenë pjesë integrale e gjithë asaj që shkolla duhet të ofrojë, pasi ne besojmë, dhe kjo është një e vërtetë, që ato që shkolla ngjizë në kuptimin e shprehive, janë më shumë se të qendrueshme ndaj formimit të vlerave në formëzimin e personalitetit të fëmijëve.” 

Nga ana tjetër, ministrja Nikolla, u shpreh se është shumë e rëndësishme që shkolla dhe komuniteti duhet të promovojë nxënësit me rezultate të larta, talentet e spikatura, nxënësit elitar, të cilët duhet të kthehen në modele reference për të gjithë të rinjtë tanë, pasi këta do të jenë profesionistët e së ardhmes, liderët e së nesërmes, mbi të cilët vendi do të mbështetet në rrugëtim, drejt progresit gjithëpërfshirës.

Aktiviteti përfundoi me diskutime dhe pyetje – përgjigje mes nxënësve dhe prezantuesve të kësaj nisme.