Ministry of Education and Sports

Deklaratë për shtyp e zëvendësministres Malaj për Maturën Shtetërore

Të dashur nxënës maturantë,

Të nderuar prindër,

Sikurse jemi tashmë të informuar, nesër (më datë 30 maj) do të mbahet provimi i detyruar i Maturës Shtetërore 2014, në lëndën “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”.

Numri i maturantëve, në të gjithë vendin, që do të hyjnë në këtë provim është 45,064.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, për këtë provim, sikurse për të gjithë provimet e Maturës Shtetërore 2014, ka marrë të gjitha masat e nevojshme infrastrukturore, logjistike dhe mbështetëse, me qëllim garantimin e një procesi tërësisht normal dhe në përputhje me Rregulloren e Maturë Shtetërore 2014.

Në këtë kontekst, kam kënaqësinë të falënderoj për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e ofruar: 

Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të cilët do të garantojnë sigurinë dhe normalitetin, në të gjitha qendrat e provimeve, në vend. 
 
Postën Shqiptare, e cila në këtë Maturë do të garantojë transportimin e materialeve të provimit, në të gjitha drejtoritë dhe zyrat tona arsimore.  

Të gjithë institucionet e MAS-it dhe mësuesit që do të përfshihen në realizimin e këtyre provimeve.  

 
Të dashur maturantë,

Duke uruar suksesin e secilit prej jush, dëshiroj t`ju sjellë në vëmendje, se ju jeni aktorët dhe bashkëpunëtorët tanë më të rëndësishëm në realizimin me sukses të këtij procesi. 

Njohja dhe zbatimi i detyrave tuaja gjatë procesit të provimeve, janë parakushte me rëndësi përcaktuese për mbarëvajtjen e çdo provimi të Maturës Shtetërore, por sidomos për suksesin e secilit prej jush.

Unë jam e sigurt se ju do t`i bashkoheni nismës dhe angazhimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për ta realizuar këtë Maturë “me dinjitet” dhe “të besueshme”, ashtu siç ju e meritoni, ashtu si prindërit tuaj e meritojnë, ashtu si e gjithë shoqëria jonë e meriton. 

Lejomëni, gjithashtu t’ju bëj me dije rreth disa risive që MAS ka ndërmarrë në drejtim të miradministrimit të Maturës Shtetërore 2014, të tilla si;

Mundësimi për herë të parë i shërbimit postar në paketimin e sigurisë dhe transportin e materialeve të provimit të MSH. Deklarimi për herë të parë i "cut off", përpara provimit të MSH në 20% nga 10% që ishte, si dhe vlerësimin e mesatares së 3 viteve në MSH nga 20 % në 26%. 

U krijua, gjithashtu për herë të parë një guidë e nominuar për çdo maturant (emër për emër) dhe u mundësua hapja e Zyrës së karrierës e alternuar me Javën e inovacionit.

Përkushtimi i Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, e cila është kujdesur që Matura Shtetërore të jetë një proces i ndershëm dhe i sigurt, është detyrim institucional dhe moral i të gjithë ekipit të MAS-it, i përfshirë në të.

Detyrat e përfaqësuesve të MAS-it në monitorimin e provimit të detyruar të Maturës Shtetërore 2014 janë të qarta:

1.  Të paraqiten në orën 06.00 në DAR/ZA për monitorimin e hedhjes së shortit, për shpërndarjen e administratorëve në qendrat e provimit;
2.  Të shoqërojnë kutinë së bashku me përgjegjësin e Administrimit të Provimit nga DAR/ZA në qendrën e provimit;
3.  Të monitorojnë hedhjen e shortit në qendrën e provimit për ndarjen e administratorëve në klasa;
4.  Të monitorojnë futjen e maturantëve, sipas listës së AKP-së, kontrollin për celularë dhe verifikimin e dokumentit të identifikimit.
5.  Të marrin masa për largimin e drejorit të shkollës nga mjedisi i provimit, pas dorëzimit të çelësave të drejtorisë
6.  Të mbajnë procesverbal për çdo parregullsi të vërejtur
7.  Të monitorojnë hapjen e kutisë në prani të maturantëve të një klase
8.  Të monitorojnë shpërndarjen e testeve, duke bërë kujdes që çdo maturant të pajiset me testin përkatës
9.  Të monitorojnë procesin e sekretimit, duke bërë kujdes që të mos mbetet asnjë test i pa sekretuar
10. Të monitorojnë procesin e mbledhjes së testeve, futjes në kuti , vendosjen e çdo procesverbali të mbajtur dhe vulosjen e kutisë
11. Të shoqërojnë kutinë së bashku me PAP, nga qendra e provimit në DAR/ZA, duke e dorëzuar me procesverbal
12. Të raportojnë në MAS pranë personave të ngarkuar.
13. Të raportojnë në momentin e mbylljes së shortit dhe fillimit të shpërndarjes së kutive
14. Të raportojnë, pasi të gjithë maturantët janë futur në ambientet e provimit, shpërndarjen e testeve dhe fillimin e provimit
15. Të raportojnë në momentin kur mbaron provimi dhe kur kutia me materiale është gati
16. Të raportojnë pas dorëzimit të kutisë në DAR/ZA
17. Pas mbylljes së provimit të dërgojnë me e-mail Raportin e monitorimit dhe ditën e hënë  ta dorëzojnë atë së bashku me procesverbalet e mbajtura (nëse ka) në MAS.
 
Ne jemi të vendosur ta udhëheqim me sukses këtë proces. Nuk do të tolerohen shkelje dhe  çdo tentativë që do të rrezikojë sigurinë e këtij procesi, sikurse ka ndodhur në të shkuarën. Ju bëjmë me dije se, bazur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2014, pas përfundimit të provimit të parë të Maturës, pas konstatimit të shkeljeve u bë menjëherë pezullimi për dy mësues, shoqëruar me mosnjohjen e provimit për të dy nxënësit, të cilët nuk zbatuan Rregulloren e Maturës Shtetërore.
 
Ndaj, u bëjmë thirrje të gjithë maturantëve, mësuesve dhe prindërve që të angazhohen në këtë proces, duke zbatuar me rigorozitet të gjitha rregullat e Rregullores së Maturës Shtetërore. 
 
Maturantë, mos harroni se atë ditë celularët dhe mjetet e tjera të komunikimit duhet t’i lini në shtëpitë tuaja.

Prindër, mësues (administrator) është detyra jonë, që të kujdesemi bashkërisht që procesi të jetë i rregullt, transparent dhe dinjitoz.

Së fundmi, i njoftoj të gjithë maturantët se rezultatet e provimit të parë të Maturës Shtetërore, atij të “Gjuhës së Huaj”, do të publikohen ditën e hënë më datë, 2 Qershor 2014.

Ju uroj të gjithëve suksese!