Ministry of Education and Sports

Sport, Festë, Ngjyra, Gëzuar 1 Qershorin!

Kushtuar 1 Qershorit, Ditës ndërkombëtare të fëmijëve, si dhe në kuadër të promovimit të vlerave të aktivitetit fizik e sportiv në zhvillimin e gjithanshëm të fëmijës, kontributin në edukim, shëndet, përfshirje sociale dhe ndërtimin e një ambienti paqësor, Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Federatat Shqiptare të Sportit, zhvilloi sot në ambientet e Agjencisë së Zhvillimit të Sportit (ish kompleksi “Dinamo”) aktivitetin festiv e sportiv “Sport, festë, ngjyra”, në të cilin morrën pjesë fëmijë të kopshteve dhe  shkollave 9-vjeçare të qytetit të Tiranës. 

Në fjalën e saj të hapjes, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, duke uruar të gjithë fëmijët për festën e tyre të 1 Qershorit, u shpreh se:

“Sot është një 1 Qershor ndryshe. Shikoni sa shumë festë, sa shumë fëmijë, sa shumë gëzim, sa shumë përgatitje, sa shumë partner për të bërë të mundur këtë 1 Qershor, të mbushur me aktivitete, plotë sport, plotë ngjyra, plotë festë. Përgëzoj të gjithë mësuesit e edukimit fizik, të gjithë partnerët tanë të rëndësishëm që mundësuan një aktivitet me kosto zero për buxhetin e shtetit. Sot në këtë ditë uroj nga zemra çdo familje shqiptare, çdo fëmijë, duke u angazhuar dhe i premtuar të gjithëve se ditët e tjera do të punojmë shumë që çdo ditë e jetës së tyre të jetë e mbushur me sportë, festë dhe ngjyra.”

Në këtë aktivitet, fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave mundësuan një sërë performancash si; Organizimi i kuadrateve “1 Qershor” dhe “Dita Jonë” dhe koreografisë së përbashkët nga nxënësit e shkollave 9-vjecare. Më tej u zhvillua kuadrati koreografik me fëmijë përfaqësues të Federatës Shqiptare të Dancit sportiv, duke vazhduar me shfaqje me numra muzikorë dhe koreografikë nga fëmijët e Qendrës Kulturore  Kombëtare të Fëmijëve, për të përfunduar eventin me një sërë aktivitetesh të ndryshme sportive, lojra lëvizore popullore etj. etj. .

Me rastin e festës së 1 Qershorit, Ministria e Arsimit dhe Sportit nën moton “Fëmijë të lumtur, Prindërim i suksesshëm, Shoqëri e realizuar”, zhvilloi një sërë aktivitetesh aktivitetesh në të gjithë territorin e vendit.