Ministry of Education and Sports

Universiteti "La Sapienza", ofron bursa për studentët e Ekselencës

Drejtues të Universitetit "La Sapienza", Romë, ditën e sotme janë takuar me disa studentë shqiptarë Ekselentë në fushën e Informatikës në ambientet e MAS. Gjatë këtij takimi nga përfaqësuesit e Universitetit të  “La Sapienza”, në Itali, u komunikua mundësia e aplikimit të studentëve shqiptarë ekselentë për 15 bursa studimi për vijimin e studimeve të doktoratës në informatikë pranë këtij universiteti në dy raunde.

Aplikimi për një pjesë të bursave mbyllet brenda datës 10 qershor 2014 ndërsa aplikimi për pjesën e mbetur në muajin korrik. Lajmi është bërë i ditur nga Prof. Alessandro Panconesi, drejtues i departamentit të Informatikës dhe Prof. Alessandro Mei, koordinator i doktoratës në Informatikë pranë këtij Universiteti. Për më shumë informacion mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

http://www.arsimi.gov.al/al/arsimi/universiteti/bursa-dhe-programe-studimi

Ministria e Arsimit dhe Sportit, përveç akordimit të fondeve nga buxheti i shtetit për bursa për studentët ekselentë për të studiuar në universitetet më të mira në botë, po lobon me universitetet e huaja dhe vendet partnere për ofrimin e bursave nga ana e universiteteve me të mira të këtyre vendeve, për të mundësuar studimet universitare në këto universitete për studentët shqiptarë ekselentë.

“Kjo është një nga iniciativat që MAS ka ndërmarrë në kuadër të promovimit të studentëve të shkëlqyer shqiptarë dhe mundësimit të studimeve universitare të tyre në universitetet më të mira jashtë vendit. Gjatë kësaj periudhe MAS ka nënshkruar marrëveshje me Qeverinë Hungareze, Qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe po lobon me Universitete Ndërkombëtare prestigjioze.”- u shpreh drejtoresha e Drejtorisë të Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Ministrinë e Arsimit, znj. Linda Pustina.

Cikli i doktoratës në Informatikë në Universitetin “La Sapienza” ka kohëzgjatje 3 vjeçare dhe nis më datë 1 Nëntor 2014. Bursat e doktoratës variojnë nga €1025 në €1500 në muaj, dhe ofrohen për të tre vitet e kohëzgjatjes së ciklit të doktoratës.