Ministry of Education and Sports

Kampi “Lightforce”- Edukim dhe ndërgjegjësim kundër substancave abuzive

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla morri pjesë ditën e sotme, në aktivitetin e organizuar në kampin veror “Lightforce” në Ishull Lezhë,  për finalizimin e programit "Edukimi, ndërgjegjësimi, dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substancat e tjera të rrezikshme".

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla shprehu gjithë angazhimin e saj dhe të MAS për t’u mundësuar të rinjve kushtet për të qënë fitues të luftës ndaj drogës, alkoolit dhe duhanit.

“Një eksperiencë e jashtëzakonshme që po merr vlerën e traditës falë bashkëpunimit me ICITAP dhe CIDA të cilët duhet t’i përgëzojmë. Dy institucione të rëndësishme, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, por dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit bashkëpunuan në një proces të përbashkët edukues ndaj të rinjve dhe fëmijëve për të sjellë krejtësisht një situatë të re në edukimin dhe arsimimin, duke parandaluar vese të tilla siç janë droga, alkooli dhe duhani. Sot, kjo vjen në një mënyrë krejtësisht të re, ku vetë nxënësit përfshihen në procese konkurimi dhe përcjellin mesazhe nëpërmjet punimeve të tyre kreative në pikturë dhe skulpturë. Sot, është një ditë e bukur, plot diell, jo vetëm këtu ku jemi mbledhur, por dhe në fshatin e Lazaratit, falë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit për t’i kthyer dhe fëmijëve dhe të rinjve të atij fshati, si kudo fëmijët e Shqipërisë, në promotorë të kësaj nisme, të kësaj force të re edukuese. Ata nuk janë vetëm, kanë gjithë ekipin qeverisës, kanë çdo Ministri, kanë opinion publik, kanë shkollat si qendra komunitare të cilat do të funksionojnë edhe për formime të tilla, ku polici i shtetit është njëherësh krah mësuesit, krah prindit dhe komunitetit në procese të tilla edukuese”, u shpreh Ministrja.

Në këtë program morrën pjesë 151 nxënësit më të mirë të klasave të 6-ta të shkollave 9-vjeçare të cilët gjatë katër ditëve (19-22 qershor) kanë zhvilluar një vizitë studiomore dhe  ekskursion në kampin veror "Lightforce" në Ishull Lezhë.
Ky ekskursion ka konsistuar në zhvillimin e aktiviteteve kulturore-sportive (gjimnastikë, konkurs i dhomës më të rregullt, lojra në grup, punë dore, kërcim, hokey, notë, etj.). Gjithashtu, janë zhvilluar takime sensibilizuese me nxënësit për ato çështje që sot, shqetesojnë më së shumti fëmijët, familjen apo shoqërinë në tërësi. 

Në përmbyllje të këtij aktiviteti Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla së bashku me Zëvendësministrin e Punëve te Brendshme, Ilirjan Mustafaraj dhe drejtues të programit ICITAP dhe CIDA shpërndan çmimet për vizatimet më të mira të nxënësve konkurues.

Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Punëve të Brendshme me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programit të saj të Asistencës Policore ICITAP dhe programit “Mbështetja e Suedisë për Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë (MB)/ Policinë e Shtetit (PSH) për policimin në komunitet”.