Ministry of Education and Sports

MAS nënshkruan marrëveshjen “Horizon 2020”, Programi i BE-së për kërkim shkencor dhe inovacion

Fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla 

E nderuar Znj. Smits

Të nderuar kolegë

Është një kënaqësi e veçantë për mua firmosja sot, e Marrëveshjes “Horizon 2020” për Shqipërinë. 

Një javë më parë Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian. Ky objektiv i rëndësishëm e ka sjellë Shqipërinë një hap më afër integrimit në BE. Megjithatë nevojitet ende shumë punë për përfundimin e procesit të integrimit.  Rruga e integrimit evropiane e vendeve të rajonit tonë kërkon përmbushjen e standardeve për ndërtimin e një sistemi arsimi dhe kërkimi shkencor i cili do të shndërrojë Shqipërinë në vendin e krijimit të njohurive dhe inovacionit.

Progresi shkencor është një parakusht për arritjen e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë. Shoqërisë sonë do t’i duhet të ketë universitete të cilat bazohen gjerësisht tek kërkimi shkencor të cilët mbështesin vendin për arritjen e objektivave të sipërpërmendur.

Në këtë kuadër qeveria aktuale e Shqipërisë ka inkurajuar forcimin e partneriteteve ndërmjet institucioneve kërkimorë shqiptarë dhe evropianë dhe e ka shndërruar këtë në një prioritet për qeverisjen tonë. “Horizon 2020” na ofron një kuadër të fuqishëm për forcimin e këtyre partneriteteve dhe për përmirësimin e cilësisë së kërkimit shkencor.

Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara për të arritur objektivat e vendosura nga strategjia Evropa 2020.  Përmbushja e këtij objektivi është sfidë për universitetet tona, për qendrat tona kërkimore, për profesorët dhe për studiuesit tanë.  Kjo është një sfidë me të cilën duhet të përballemi për t’i mundësuar Shqipërisë që ajo të përfitojë sa më shumë që të jetë e mundur prej Programit “Horizon 2020”.

Në këtë kuadër Qeveria e Shqipërisë do të ofrojë mbështetjen maksimale për të gjithë iniciativat e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve shkencorë vendas dhe atyre ndërkombëtarë. Veçanërisht Ministria e Arsimit dhe Sportit ka qenë dhe mbetet e përkushtuar tërësisht për të mbështetur institucionalisht çdo iniciativë dhe projekt kërkimor të përbashkët që do të ndërmerret për adresimin e sfidave që lidhen me zhvillimin e kërkimit shkencor dhe me ndërtimin e kapaciteteve për këtë zhvillim.

Ju faleminderit!