Ministry of Education and Sports

Festa e Maturantëve të Elbasanit

Pas takimit me maturantët e Durrësit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme dje në festën e maturantëve të Elbasanit, të cilët i përgëzoi për arritjet e tyre dhe ju uroi suksese të mëtejshme në rrugën e dijes.

“Ndihem sot e lumtur që jam pranë jush, në qytetin e Elbasanit, në qytetin e traditës së arsimit, në qytetin e mësuesisë, në qytetin e Normales. Ne mbyllëm një proces, atë të Maturës Shtetërore dhe shënuam një standard të ri, duke i rikthyer dinjitetin provimeve të Maturës Shtetërore, i rikthyem këto provime në shinat e meritokracisë, në shinat e së vërtetës dhe ndershmërisë. Ne do të vijojmë në këtë rrugë, sepse shembulli juaj duhet të udhëheqë edhe maturantët e viteve që do të vijnë”, tha Znj. Lindita Nikolla.

Ministrja shtoi se kjo festë e bukur e maturantëve do të jetë një traditë për të gjithë qytetet e Shqipërisë edhe në vitet që do të vijnë. Kjo është një mënyrë e mirë për të thënë që ju, maturantët ekselentë, jeni shembulli që duhet ndjekur. Ju duhet të jeni arsyeja se pse ne duhet të punojmë fort, për një cilësi të re në arsimin shqiptar dhe universitete shqiptare.

Ministrja ju drejtua maturantëve të qytetit me urimin që një pjesë e tyre të zgjedhin mësuesinë, këtë profesion fisnik që mundëson arritje profesionale. “Si një ish-mësuese e matematikës do të doja që këtu në qytetin e mësuesisë, e mësuesve të cilësisë që kanë qenë për të gjithë ne shembuj për t’u ndjekur, ju maturantët më të mirë të zgjidhni të bëheni mësues. Të jesh mësues është bukur, është një rrugë fisnike që të hap të gjitha rrrugët e karrierës”, tha Ministrja. 

Gjithashtu, Ministrja Nikolla u dorëzoi certifikata lavdërimi 13 maturantëve ekselentë.