Ministry of Education and Sports

Qëndra Shqiptaro-Gjermane për Trajnimin e Gazetarëve, një model suksesi në arsimin e lartë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të kursit të Qendrës Shqiptaro-Gjermane për Trajnimin e Gazetarëve, frut i bashkëpunimit mes Fondacionit “Konrad Adenauer”dhe Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.

Ministrja, përshëndeti këtë bashkëpunim në shërbim të gazetarëve të rinj, të cilin e cilësoi si një model suksesi në arsimin e lartë dhe shprehur gjithë mbështetjen e saj për bashkëpunime të tilla në të ardhmen.

“Jo vetëm që do të keni mbështetjen maksimale, por do të jem krah jush për të mundësuar që eksperienca të tilla të jenë pjesë e arsimit të lartë në Shqipëri, sepse kjo është mënyra më e mirë për të arritur cilësi në Arsimin e Lartë. Njëkohësisht t’i përgatisim siç duhet studentët tanë për Shqipërinë evropiane”, tha Ministja Nikolla, gjatë fjalës së saj, dje, në Hotel Rogner.

Ministrja shprehu gjithashtu mirënjohjen e saj për Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, për këtë bashkëpunim me rëndësi për studentët, për të mos i lënë ata vetëm edhe pasi dalin nga auditoret e universitetve. “Mirënjohje të thellë që mundësuat përvoja të tilla evropiane të bëhen pjesë e formimit që në universitet, në mënyrë që kur gazetarët e rinj të jenë në terren, të transmetojnë lajmin me armët si e vërteta, paanshmëria gjithmonë në mbrojtje të interesit publik”, tha Ministrja Nikolla, duke shtuar se ajo vetë si politikanë e re, dëshiron të jetë pjesë e një komunikimi të ri në raport me të vërtetën.

Qendra Shqiptaro-Gjermane për Trajnimin e Gazetarëve është ngritur dhe funksionon brenda Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit (DGK), Fakulteti Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës. Ajo mbështetet nga zyra e fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” në Tiranë.