Ministry of Education and Sports

Në festën e maturantëve të Kavajës

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj mori pjesë në festën e maturantëve të Kavajës, të cilët i përgëzoi për arritjet e tyre dhe ju uroi suksese të mëtejshme në ciklin e ardhshëm të studimeve.

“Përulje për maturantët që kanë mësuar fort për të treguar që edhe Kavaja është vendi i dijes, nga ku dalin edhe ekselentë. Nuk ka kënaqësi më të madhe që në auditoret e universiteteve në të ardhmen, brenda e jashtë Shqipërisë, të uleni ju të dashur maturantë. E di që rruga juaj ka pasur shumë mund e sakrifica, por ju në fund ja dolët të tregoni se garën e fitojmë vetëm kur e duam dijen dhe përkrahim vlerat”, tha Malaj.

Zëvendësministrja falenderoi edhe prindërit, mësuesit, nxënësit të cilët me dëshirën e mirë për të bashkëpunuar, të gjithë së bashku, realizuan një proces të ndershëm, mbi bazën e meritokracisë, për Maturën Shtetërore 2014-të.

“Asnjë sukses nuk do realizohej nëse nuk do kishim bashkëpunimin e prindërve, të cilët edhe pse me sakrifica, pranojnë të investojnë për fëmijët. Ndaj përulem përpara prindërve që u bënë pjesëe një sfide shumë të madhe për të vendosur standarde”, tha Nora Malaj.

Maturantët e Kavajës festuan për herë të parë, në qendër të qytetit, përfundimin me sukses të ciklit të studimeve në gjimnaz. Një traditë e nisur këtë vit nga MAS, për të promovuar maturantët më të mirë dhe për t’i evidentuar si modele suksesi për t’u ndjekur.