Ministry of Education and Sports

Deklarata për shtyp e Zëvendësministres Malaj për procedurën përpara plotësimit të formularit A2

Përmbyllja me sukses dhe cilësi mjaft të mirë organizative e fazës së parë të procesit të Maturës Shtetërore 2014 e pikërisht  asaj të administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore, na obligon që të shprehim falënderimet më të përzemërta për të gjithë aktorët e përfshirë në drejtimin e këtij procesi madhor të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si:

  • Specialistët dhe drejtuesit e MAS
  • Specialistët dhe drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve
  • Specialistët dhe drejtuesit e Drejtorive dhe Zyrave Rajonale Arsimore
  • Përgjegjësit e administrimit të provimeve në qendrat e provimeve, në mbarë vendin
  • Administratorët e provimeve dhe të sekretimit
  • Hartuesit dhe vlerësuesit e testeve

 

Jo më pak e rëndësishme është dhe faza e dytë dhe përmbyllëse e këtij procesi që ka të bëjë me plotësimin e formularit A2, të përzgjedhjes së programeve të studimit preferenciale, me qëllimin final pjesëmarrjen në garën për t’u shpallur fitues në njërin nga programet e studimit, të ofruara nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik.

 

Duke filluar nga dita e sotme deri në datën 22 korrik, nga personeli drejtues i shkollave të mesme të vendit, zhvillohet procesi i hedhjes në Portalin e Maturës Shtetërore , të pikëve mesatare ose notës mesatare të maturantëve ose kandidatët konkurrues në garën për fillimin e studimeve universitare.

Të gjithë drejtuesit e DAR/ZA-ve  dhe të shkollave të mesme të vendit do ta monitorojnë me shumë kujdes këtë proces, i cili do të zgjasë një javë. Kryerja me cilësi dhe përgjegjshmëri e kësaj etape do të ndihmojë për forcimin e bazave të shëndosha për një proces cilësor, të ndershëm dhe transparent.

Përpara se të bëhet plotësimi i formularit A2 njoftojmë të gjithë studentët që të bëjnë ashtu si çdo vit, pagesën prej 2000 lekësh pranë zyrave të Postës Shqiptare apo bankave të nivelit të dytë dhe më pas të paraqiten në drejtorinë e shkollës ku kanë bërë aplikimin e formularit A1, ose A1Z dhe të dorëzojnë mandat pagesën, një politikë kjo e ndjekur nga Ministria e Arsimit që prej vitit 2007.

Pas dorëzimit të mandatpagesës, punonjësi i autorizuar nga drejtoria e shkollës hedh në sistemin informatik pikët/notën mesatare të tij. Maturanti këshillohet të kontrollojë saktësinë e informacionit të hedhur në sistem.

Fatura, e cila duhet printuar, gjendet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) www.akp.gov.al , në rubrikën “Njoftime”.

Theksojmë se, maturantët që nuk ndjekin procedurën e mësipërme nuk do të kenë mundësi të aplikojnë  për formularin A2, për shkak të mungesës në sistemin informatik të pikëve/notës mesatare.

Gjatë periudhës javore 16-22.07.2014, në të cilën hidhen në sistem pikët/nota mesatare e maturantëve drejtuesit e DAR/ZA-ve dhe të Komisioneve Shkollore të Maturës Shtetërore do të marrin masa të menjëhershme që të intensifikohen aktivitetet për Këshillimin e karrierës, ku maturantëve do t’u bëhen të qarta:

  • Kriteret e përzgjedhjeve optimale të preferencave
  • Teknika e aplikimit me formularin A2 në Portalin e Maturës Shtetërore.

 

Pas hedhjes në sistemin informatik të pikëve ose notave mesatare, do të fillojë etapa e dytë e plotësimit të formularit A2, në të cilën maturantët/kandidatët përzgjedhin jo më shumë se 10 programe preferencialë, ndër rreth 334 programe studimi të ofruara nga IAL publike.

Pasi të përfundojë procesi i hedhjes në sistem të pikëve dhe notave mesatare, do të ketë një njoftim të dytë online në lidhje me fillimin e aplikimeve të formularit A2 nga maturantët.

Suksese maturantëve dhe kandidatëve për konkurrimin e tyre në garën për studime në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik!

 

Faleminderit!