Ministry of Education and Sports

Festa e maturantëve të Tropojës

Pas udhëtimit në disa prej qyteteve të Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte dje në Tropojë për të përgëzuar nga afër  maturantët për sukseset e tyre dhe për të festuar me ta përfundimin e ciklit të studimeve në gjimnaz.

“Ia vlejti që festa përmbyllëse të ishte në Tropojë, si qershia mbi tortën e një përpjekjeje të madhe për sukses, falë mësuesve dhe drejtuesve të talentuar të Tropojës, prindërve e maturantëve, që ditën t’ia dilnin mbanë duke u bazuar në punë, në ndershmëri dhe meritë”, tha ministrja Nikolla.

Ministrja shprehu gjithë vlerësimin e saj për maturantët që shkëlqyen me rezultatet e tyre në Maturën Shtetërore, falë punës dhe pasionit të tyre.

“Me gjithë emocionin e veçantë që më jep ky qytet dhe me gjithë krenarinë e veçantë që më japin maturantët e Tropojës, unë si nënë, si mësuese, përulem me gjithë dashurinë e zemrës përpara tyre për përkushtimin e treguar”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja shtoi se  maturantët  e Tropojës, ashtu si ata në të gjithë Shqipërinë, me rezultatet e tyre janë nxitje për gjithë mësuesit dhe drejtuesit e arsimit, për të punuar edhe më fort, edhe më ndershëm, duke vënë në plan të parë të ardhmen e tyre. “Do vazhdojmë të punojmë fort që çdo shkollë në fshat e qytet të jetë e krahasueshme me shkollat evropiane”, u shpreh Ministrja.

Ashtu si në çdo qytet, maturantët e Tropojës parakaluan në qytet së bashku me Ministren Nikolla.

Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi këtë vit traditën e aktiviteteve festive në përfundim të maturës, jo vetëm për të evidentuar maturantët e shkëlqyer  si krenaria e qytetit dhe modele suksesi, por edhe si një festë për të gjithë qytetin.