Ministry of Education and Sports

Raporti i Punës për 300 ditët

 Fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla

 

Të dashur pjesëmarrës,

Më duket e rëndësishme të theksoj se në këto 300 ditë ne treguam se reformat bëhen duke përfshirë domosdoshmërisht ata të cilëve u përkasin këto reforma.

Lejomëni të shpreh mirënjohjen e thellë për secilin nga ju në këtë sallë, për stafin e  Ministrisë së Arsimit dhe Sporti dhe institucionet e varësisë, për të gjithë mësuesit dhe profesorët që kanë qënë pjesë e rëndësishme për të shkuar drejt vendimmarrjes së duhur.

Këto 300 ditë kanë qenë ditë të rëndësishme për arsimin shqiptar, ditë të shënuara nga një numër i madh ndryshimesh e reformash për sistemin arsimor në tërësinë e tij.

Kryefjala e kësaj sipërmarrjeje masive ka qenë dhe mbetet përmirësimi i jetës për 831.847 përfituesit e drejtpërdrejtë në sistemin arsimor shqiptar. Përfshihen këtu 81.448 fëmijë në kopshte; 606.540 nxënës dhe 38.119 mësues në sistemin arsimor parauniversitar; 176.171 studentë  dhe 11.017 pedagogë në sistemin universitar shqiptar. Praktikisht, përfituese është çdo familje shqiptare; çdo familje shqiptare e ka kaq të vyer e të shtrenjtë arsimimin e fëmijëve, sepse e vyer është e ardhmja jonë.

Kam qënë nga veriu në jug për të parë nga afër se si dhe sa u shërbehet fëmijëve dhe të rinjve tanë, për të parë në sytë e tyre cilësitë e orëve të mësimit dhe demokratizimin e shkollave tona. Dhe më pas për ta drejtuar gishtin nga vetja, për të vijuar në rrugën e punës.

Në këto 300 ditë kemi dëshmuar qëndrime të reja, jo vetëm për të thënë të vërtetat, por për të përmirësuar gjithçka që ka shkuar keq.

Valsioni është 5 vjeç, frekuenton kopshtin 42 në Tiranë, është një prej 76.416 vogëlushëve të regjistruar në sistemin parashkollor shqiptar. U angazhuam dhe kemi prioritet edukimin në moshë të hershme. Ndaj këtë vit, numri i parashkollorëve do të rritet me rreth 14% më shumë vogëlushë që do të frekuentojnë kopshtet tona.

Tashmë kemi një studim për standardet dhe kopshtet tona do të kenë standardet të harmonizuara me BE-në. Do të futim klasën përgatitore në sistemin parashkollor dhe vogëlushët do të duhet të ndjekin ose grupin e tretë, ose klasën përgatitore.

Përfshimë arsimin parashkollor në Kornizën e re Kurrikulare, kornizë e harmonizuar me BE-në dhe e unifikuar me Kosovën, sepse për ne arsimi është politikë kombëtare.

 

Në planin e arritjeve institucionale, domosdoshmëri për zbatimin e atyre programatike, u arrit inventarizimi i plotë i infrastrukturës së kopshteve dhe tashmë jemi gati të fillojmë me trajnimin e mësueseve të kopshteve.

Në këto 300 ditë larguam politikën nga shkolla, sepse shkolla, sepse arsimi është një e mirë publike, një shërbim publik. Shkolla, e çliruar prej politikës, tashmë u përket nxënësve, mësuesve, prindërve, komunitetit. Shkolla i përket Kristelit, nxënës i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

 

Kristeli është 13 vjeç, është një prej 377.074 nxënësve që frekuentojnë ciklin 9-vjeçar në sistemin arsimor shqiptar.

Falë Kornizës së re Kurrikulare, kornizë e bazuar në kompetenca dhe e harmonizuar me kurrikulën e BE-së, Kristeli do të shkollohet në një shkollë që tashmë i përket shekullit të 21-të, në një shkollë që do të ofrojë po atë çka ofrojnë shkollat në vendet e BE-së.

Tashmë nuk do të ketë asnjë vështirësi për nxënësit tanë për të ndjekur shkollat europiane, pasi korniza kurrikulare është ajo zyrtare e BE-së.

Unifikuam Kornizën Kurrikulare të arsimit parauniversitar me atë të Kosovës, duke mundësuar një shkollë shqiptare për të gjitha hapësirat shqipfolëse.

 

Përmirësuam cilësinë e teksteve shkollore. 120 tituj librash mësimorë problematikë u hoqën nga katalogu i vitit 2014, pas konsultimit me mësuesit, prindërit dhe shtëpitë botuese, dhe reformuam tërësisht procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore duke ofruar  transparencë dhe cilësi. 

Projekti “Shkolla si Qendër Komunitare”, i pilotuar tashmë në 66 shkolla të vendit, promovon bashkëpunimin mësues-prindër-nxënës dhe mundëson transformimin e shkollës në epiqendër të ndryshimeve në komunitetet tona.  Prindërit e Kristelit dhe të gjithë fëmijëve tashmë informohen rregullisht me shkrim nga mësusit. Një zotim ky i mbajtur gjatë këtyre 300 ditëve.

 

Shkolla shqiptare, falë Kornizës së re Kurrikulare bazuar në kompetenca, do të nxisë dhe do të zhvillojnë më mirë burimet vetjake të nxënësve (njohuritë e reja, kompetencat, vetëbesimin, vetëshprehjen, bashkëpunimin me të tjerët, shpirtin sipërmarrës etj.), të ndihmuar ata nga mësuesit dhe nga dijet e teksteve shkollore (të shtypura dhe digjitale), nga laboratorët, nga punishtet, nga kompjuterët, nga tabletat, nga CD-të, nga videot, nga ndërveprimet praktike me mjedisin etj., etj.

 

Për këtë arsye, ne kemi filluar tashmë sipërmarrjen madhore të digjitalizimit të sistemit arsimor shqiptar, duke rinegociuar me qeverinë austriake Projektin “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-Edukimit”, i cili do të pilotohet fillimisht në 30 shkolla të mesme në vend.

Armora është 18 vjeç, është nxënëse në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, një prej 118.074 nxënësve të shkollave të mesme. Viti shkollor 2014-2015 është për të vit i rëndësishëm, viti i Maturës Shtetërore.

Me MSh 2014 ne mundësuam ndershmëri dhe meritokraci, falë një procesi me standard të unifikuar dhe të administruar në mënyrë rigoroze. Rritëm dhe e deklaruam paraprakisht në 20% pragun e kalueshmërisë, rritëm në 26% peshën e mesatares, sepse ne besojmë që shkolla duhet të ofrojë dije të vlefshme dhe jo thjesht diploma.

Dua t’u them prindërve të nxënësve që, falë Kartës së Performancës së Shollës, dokument që mundëson analizën e performacës së shkollës dhe të rezultateve mësimore të të gjitha shkollave të sistemit arsimor shqiptar; gjithashtu dhe falë rezultateve të MSh 2014: Ju jeni në gjendje të vlerësoni me objektivitet punën e drejtuesve dhe të stafit mësimor në shkollat ku studiojnë fëmijët tuaj.

Prindërit do të kenë në vijimësi një informacion të plotë e të përditësuar për çdo shkollë mbi problematikat e mësimdhënies, kurset private, standardet e vlerësimit dhe rezultatet e Maturës Shtetërore 2014 e të provimeve të lirimit dhe do të mundësojnë rankimin e shkollave. Prindërit do të jenë pjesë e vendimmarrjes në çdo shkollë.

 

Antigoni është 21 vjeç dhe është studente në Universitetin e Tiranës, dega Ekonomi Informatike, viti i dytë. Antigoni është një prej 176.171 studentëve që ndjekin studimet në IAL-të publike dhe private në vend. Këta studentë ndiqen nga një staf prej 11.062 pedagogësh, në IAL-të publike dhe private.

 

Për Antigonën, për shokët dhe shoqet e saj, për familjet e studentëve dhe për pedagogët shqiptarë është e rëndësishme një gjë që kaq shumë i ka munguar deri më sot arsimit të lartë në vend:

 

Bërja e transparencës është më shumë se një detyrim institucional, është një detyrim moral që ne e kthyem në një nga shtyllat mbajtëse të programit tonë qeverisës për arsimin e lartë. Për 20 vite inspektimi nuk kishte asgjë të përbashkët me transparencën dhe marrjen e përgjegjësive institucionale.

 

Antigonës i them se tashmë kemi ndërmarrë hapat e duhur në rrugën e kthimit të autoritetit të ligjit në IAL-të dhe në drejtim të frenimit të rrënimit të arsimit të lartë, si çelës i kthimit të besimit të publikut në IAL-të shqiptare, duke iniciuar procesin e Verifikimit të Kushteve të Ligjshmërisë në të gjitha IAL-të shqiptare, publike dhe private, një proces i mbajtur për herë të parë. Me rezultatet e këtij hapi të rëndësishëm drejt bërjes së transparencës për AL në vend publiku do të njihet shumë shpejt.

Publiku këtë vit do të njihet me gjetjet në çdo institucion publik apo privat. Siç do të njihet me sjelljen e re të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ndaj institucioneve që kanë abuzuar me standardet e ligjshmërisë duke e kthyer arsimin e lartë në vend, në një pazar shit-blerje diplomash.

Gjithashtu, kemi tashmë gati një reformë tërësore të sistemit të arsimit të lartë, e cila synon rritjen e cilësisë në të gjithë sistemin, pa cenuar aspak mundësitë e të rinjve për t’u arsimuar, nëpërmjet ngritjes të një Komisioni të pavarur, i cili mundësoi një proces të zhvilluar në transparencë të plotë, duke garantuar gjithëpërfshirjen e grupeve të interesit dhe aktorëve të AL-së pa asnjë përjashtim. Në Raportin e tij përfundimtar, komisioni ka përfshirë kritikat dhe sugjerimet e tyre.

Kemi përmbyllur vlerësimin paraprak dhe fillojmë punën për akreditimin e të gjitha IAL-ve me një agjenci të huaj/britanike anëtare e ENQAS, e kontraktuar për vlerësimin e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat.

Jemi të vendosur dhe nuk ka kthim mbrapa, për të bërë publike të vërtetat dhe për t’i kthyer autoritetin universiteteve tona publike apo private.

Gilda është 26 vjeç dhe  ndjek studimet universitare të ciklit të tretë në Universitetin e Tiranës, pra doktoratën.

 

Duke e bërë Shqipërinë tashmë pjesëmarrëse me titull të plotë në programin Erasmus+, programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin, propozuar nga Komisioni Europian, që synon të nxisë modernizimin e sistemeve arsimore, u dhamë mundësinë Gildës, por dhe studentëve praktikantë dhe personelit akademik për të studiuar jashtë vendit dhe siguruam, gjithashtu, mbështetje për sportin dhe aktivitete rinore. 

 

Kjo mundësi vlen për 176.171 studentët, për 11.062 pedagogët dhe për 38.119 mësuesit e sistemit arsimor shqiptar.

 

E bëmë Shqipërinë pjesë të hapësirës europiane duke nënshkruar  marrëveshjen “Horizon 2020”, Programi i BE-së për Kërkim dhe Inovacion, i cili premton arritje të mëdha në kërkimin shkencor dhe synon sigurimin e konkurrueshmërisë së Europës në nivel global, duke plotësuar kështu dhe një nga rekomandimet e BE-së për Kërkimin dhe Shkencën.

Në krahasim me 2012-2013, janë përfituar 1.9 milionë euro në projekte Tempus. Këtë vit 3.8 milionë euro.

Për sa i përket sportit, angazhimi ynë programatik ishte rikthimi i sportit në një element të pandashëm në edukimin e brezave.

 

Dhe ia dolëm, sepse rritëm numrin e orëve të lëndës së edukimit fizik në shkollat e arsimit parauniversitar, ndryshim që do të fillojë të zbatohet me nisjen e vitit shkollor 2014-2015. Përfshimë në kurrikulën e re kompetencën për edukimin fizik, sportet dhe shëndetin. Gjithashtu, i prezantuam publikut dokumentin strategjik në drejtim të m

 

Të gjithë ju e njihni Erkandin, siç njihni dhe kolegët e tij, të cilët ndër vite kanë dëshmuar se për asnjë moment nuk u kanë munguar pasioni dhe vullneti. Këtë gjë e kanë dëshmuar me rezultatet, me medaljet e arta të fituara vite radhazi.

 

Erkandit dhe kolegëve të tij ndër këto vite u është dashur të luftojnë dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre, dinjitet i nëpërkëmbur me fodullëk burokratësh që u mohonte atyre atë që u përket me ligj. Erkandit dhe kolegëve, më në fund, iu paguan shpërblimet që ligji njeh për sportistët me rezultate kombëtare dhe ndërkombëtare. Sot nuk ka më sportistë që të kenë pa marrë pagesat.

 

Ajo çka ne po ndërtojmë,së bashku me komunitetin e sportistëve, me Erkandin e të tjerë,  është një status i ri për sportistin elitar, përmes investimeve të shumta në sport.

 

140 milionë lekë u dhanë si fond për mbështetjen e Federatës Kombëtare, pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes.

Gjithashtu, në kuadër të rritjes së investimeve dhe mbështetjes për sportin shqiptar, nisëm projektin për ndërtimin e Parkut Olimpik të Tiranës dhe filluam rikonstruksionin e Stadiumit të Elbasanit.

Siç e theksova që në fillim, në këto 300 ditë ne treguam se reformat bëhen duke përfshirë domosdoshmërisht ata të cilëve u përkasin këto reforma.

Kjo e sotmja nuk ishte një paradë suksesesh, por një raportim publik i 300 ditëve të para të punës së MAS, një raportim i detyrave të realizuara falë pasionit dhe përkushtimit të gjithë ekspertëve, stafit të MAS, etj.

Ne do të vijojmë në rrugën e nisur. Kemi shumë punë përpara në përpjekjet për të vendosur cilësi, në luftën kundër korrupsionit.  Rezultati është përgjigjja që kemi për të gjithë nihilistët.

Faleminderit të gjithëve!