Ministry of Education and Sports

Komunikim me përfaqësues të IAL-ve

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi sot, takime me përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë në vend, për t’ju komunikuar nga afër konkluzionet e “Raportit të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në këto institucione”.

Gjatë takimit me përfaqësues të universiteteve që janë përfshirë në grupin që kanë rekomandime për përmirësimin e kritereve, Ministrja tha se këto institucione do të kenë gjithë mbështetjen e MAS për t’u kthyer në institucione që plotësojnë gjithë kuadrin ligjor.

“Krahas mbështetjes, ju do të jeni po aq fortë të monitoruar përmes inspektimeve, për të verifikuar deri në fund rezultatet e arritura ndaj të gjitha rekomandimeve që janë në raport. Ju kërkoj t’i kushtoni vëmendje dhe energji të reja realizimit të rekomandimeve, në mënyrë që të mund të kaloni më pas ‘provimin’ e agjencisë britanike të akreditimit”, tha Nikolla.

Në lidhje me vazhdimësinë e studimeve për studentët e 18 universiteteve që është kërkuar heqja e licencës, Ministrja u shpreh se ka një plan konkret për t’i sistemuar ata në institucionet e tjera të arsimit të lartë.
 

“Po vijojmë me masat për të menaxhuar gjithë situatën që lidhet me vijueshmërinë e studimeve për të gjithë studentët e 18-të institucioneve që ju hiqet licenca. Kemi një plan konkret për t’i sistemuar në institucionet e arsimit të lartë 5820 studentët që preken nga ky vendim. Një grup pune do të merret me përcaktimin e të gjitha modaliteteve. Për të gjithë studentët që janë diplomuar në këto institucione garantojmë atë që ligji e njeh si parimin e sigurisë juridike që kjo vendimmarrje nuk ka fuqi prapavepruese. Por, nëse në vijim rezultojnë diploma të falsifikuara, ne nuk do të vazhdojmë në rrugën e mashtrimit”, tha Lindita Nikolla.

Në takimin me përfaqësues të universiteteve për të cilat është kërkuar pezullimi i aktivitetit, Ministrja tha se masa sipas ligjit është pezullim deri në dy vite, ndaj është në varësi të natyrës së problematikave dhe intensitetit të çdo institucioni për t’i përmirësuar ato.

“Në këtë proces të parë ne kemi një tablo të plotë për të gjitha institucionet, duke përdorur të njëjtin standard, të njëjtën masë, pa bërë dallime në institucione publike apo private”, tha Ministrja Nikolla.

Ministrja dëgjoi me vëmendje përshtypjet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të universiteteve dhe shprehu vullnetin e saj për t’i shkuar deri në fund procesit të reformimit të arsimit të lartë në Shqipëri dhe gjithë sistemit arsimor.

Sipas saj, ky është hapi i parë që ka të bëjë vetëm me heqjen e pjesës së kalbur nga trupi i sistemit të lartë arsimor. Jemi ende larg një sistemi të shëndoshë, shtoi ministrja, ndaj do të vijojmë me procesin e akreditimit si dhe me reformën në sistemin e lartë.