Ministry of Education and Sports

E vërteta e arsimit

Nisur nga disa keqinformime të opinionit publik, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi sot,  një konferencë për shtyp, për të sqaruar edhe një herë të gjitha të vërtetat e zhvillimeve të fundit në arsimin e lartë dhe masat e “Raportit të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në institucionet e arsimit të lartë”.

Ministrja ritheksoi edhe një herë se është e pavërtetë që ulja e kuotave ka shkaktuar dëm për 11 mijë maturantë, sepse këtë vit janë miratuar vetëm 2800 kuota më pak sesa kanë kërkuar vetë universitetet.

Ulja është bërë pasi disa programe, në kundërshtim me ligjin, kishin më pak se 10 studentë dhe disa të tjerë kishin mesatare të gjithë grupit të studentëve që pranoheshin edhe me më pak sesa mesatarja e notës 5.5.

Duke krahasuar numrin e studentëve që kanë aplikuar për formularin A1 (27.845) dhe numrin e kuotave (19.166) rezulton se  rreth 69% e studentëve kanë mundësinë të shkojnë në institucionet e arsimit të lartë publik. Nëse llogarisim edhe rreth 4.500 maturantë që do të studiojnë jashtë vendit  si dhe ata që do të studiojnë në institucionet e arsimit privat, këtë mundësi e kanë jo më pak se 72%.

Ministrja Lindita Nikolla tha gjithashtu se do vihen para përgjegjësisë të gjithë personat që lejuan shit-blerjen e diplomave dhe licencimin e institucioneve që nuk plotësonin kriteret ligjore.

Konferencë për shtyp "Arsimi i lartë në Shqipëri"