Ministry of Education and Sports

Deklaratë për rastin e denoncuar në televizionin Top Channel

Duke marrë shkas nga pamjet e transmetuara në datën 22 shtator 2014 në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, i cili zbuloi një skemë mashtrimi ndaj qytetarëve me qëllim përfitimin e të drejtës së regjistrimit në kopshte përkundrejt mitmarrjes, por dhe problematika të tjera të shfaqura në disa prej këtyre institucioneve parashkollore, Ministria e Arsimit dhe Sportit njofton si më poshtë:

Drejtoria Arsimore e Tiranës, me kërkesë të posaçme të Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, është ndalur me përgjegjësi tek ky rast për të marrë të gjitha masat e nevojshme duke larguar menjëherë nga detyra të gjithë stafin e përfshirë në këtë skemë, si edhe drejtoreshën e kopshtit Nr. 6 për paaftësi në kryerjen e detyrës.

Për rastin në fjalë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të bëjë kallëzimin penal edhe pranë organeve të drejtësisë.

Nga ana tjetër, Ministrja Nikolla, zhvilloi një mbledhje me të gjithë drejtuesit e kopshteve të Tiranës për t’u informuar për gjithçka rreth zhvillimeve dhe procedurave në kuadër të mbarëvajtjes së fillimit të sezonit të ri. Në këtë mbledhje është kërkuar përcaktimi i detyrave për mundësimin e gjithë kapaciteteve të nevojshme për të gjithë kërkesat e ardhura.

Me këtë rast, Ministria e Arsimit dhe Sportit është e vendosur për të ndëshkuar çdo rast korrupsioni. Ndërsa, vazhdon punën për zbatimin e reformave tërësore në të gjithë sistemin arsimor.

MAS përshëndet dhe falenderon gazetarët e emisionit investigativ të televizionit Top Channel për zbulimin e rastit në fjalë, puna e të cilëve është një ndihmë e paçmuar në nismat dhe hapat e ndërmarra nga qeveria në luftën ndaj korrupsionit. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit nxit të gjithë qytetarët, prindërit dhe punonjësit e insitucioneve arsimore të mos hezitojnë të denoncojnë çdo rast abuzivizmi dhe korrupsioni në sistemin arsimor.