Ministry of Education and Sports

“Mbi modernizimin e sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet E-edukimit”

Pas 5 vitesh për herë të parë ka një rishikim në rritje të buxhetit të shtetit, megjithëse shumëkush – përfshirë edhe FMN – thanë në fillimin e vitit që objektivat e qeverisë ishin shumë ambicoze.

Sot është prova e disatë gjatë këtij viti që kjo maxhorancë, kjo qeveri, jo vetëm që ka objektiva ambicioze dhe i arrin ato, por dhe i tejkalon këto objektiva.

Shumë njerëz besonin që një administrim rigoroz i maturës, ishte objektiv ambicioz, – ia dolëm. Sot rektoratet e institucioneve të arsimit të lartë pranojnë se cilësia e përzgjedhjes së maturantëve që do ndjekin sivjet studimet në universitetet publike është shumë herë më e lartë në raport me vitet e shkura. Shumë njerëz besonin që universitet piramida nuk mund të mbylleshin dot, – ia dolëm. Po administrojmë hap pas hapi transferimin e rreth 6 mijë studentëve duke i’u ofruar atyre shansin e dytë. Nuk e besonte njeri që do t’ia dilnim me kornizën e re kurrikulare, apo në arritjen e një marrëveshje me Kosovën për kurrikula të unifikuara. Ia kemi dalë me sukses. Po ashtu ndryshe nga herët e tjera kur tekstet shkollore për minoritet mundësoheshin pjesërisht në mes apo në fund të vitit shkollor, sot ato janë shpërndarë përpara fillimit të hapjes së shkollave. Nuk besonin për edukimin fizik në shkolla! Sot, 1300 mësues të edukimit fizik do të jenë të punësuar të rinj.

Në të njëjtën mënyrë, shumë skeptikë janë shprehur se projekti ynë po kaq ambicioz për digjitalizimin e sistemit arsimor nuk do të jetë i suksesshëm. Me ndryshimet e këtij buxheti, mund të themi pa frikë, që dhe atyre do t’ia provojmë që e kanë gabim.

Fokusimi i një pjese të qenësishme të kësaj rritjeje të buxhetit është gjithashtu një kovë me akull në zjarrminë e kritikëve që qeveria nuk po i jep vëmendjen e duhur buxhetore arsimit.

Me një buxhet prej 600 milion lekë që do të fokusohet në projektin e infrastrukturës dixhitale të arsimit. Shtuar kjo në marrëveshjen me qeverinë Austriake për rreth 500 milion lekë të tjera për sistemin e mësimit “dixhital e-learning”, sistemit elektronik të menaxhimit të sistemit arsimor, dhe regjistrit elektronik, këtë vit po investojmë rreth 1.2 milard lekë për dixhitalizimin e sistemit arsimor në vend.

Një hov cilësor ky, që na ndan nga e shkuara që pretendon për moshën digjitale, por që rezulton në fakt në një katastrof digjitale.

Kemi identifikuar zgjidhjet më të mira teknologjike në ndihmë të arsimit, dhe MAS fillimisht shpalli një ftesë për të gjitha kompanitë me eksperienca botërore në këtë drejtim, për të pilotuar zgjidhjet e tyre.  Gjetjet e këtyre pilotimeve shërbyen për të ndërtuar strategjinë tonë afatgjatë të digjitalizimit të arsimit. 

Iu përgjigjën kësaj thirrjeje interesi, kompani me shumë emër si: Google, Microsoft, Samsung, CISCO e HP. Pilotimet, sigurisht në mënyrë shumë më të përmbledhur, i kemi shtrirë edhe në ciklin fillor për të parë eksperiencat me të mira, për të qenë më të qartë më pas për strategjinë tonë afatgjatë në këtë segment të arsimit 12-vjeçar.

Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri do të pilotohet fillimisht në 60 shkolla të mesme të përgjithshme në vend, në të gjitha DAR/ZA, duke përfshirë këtu edhe shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan, e cila është përfshirë duke pasur parasysh specifikën dhe rëndësinë që kjo shkollë ka për mësuesinë në përgjithësi. 

 

Statistikisht kemi:

-60 shkolla të mesme të përgjithshme në 38 DAR/ZA,

-120 laboratorë, ku secila ka 40 tableta, një lap-top, projektor-smart,

-5850 tableta, jo vetëm për laboratorët, por edhe për mësuesit (për të punuar individualisht, si edhe për klasa të veçantë ku nxënësit mund t’i marrin ato me vete).

 

Shkollat do të furnizohet secila me dy laboratorë me tableta (40 tableta për secilin laborator), lap-top për mësuesin, si edhe një tabelë smart/digjitale për secilin laborator. Të gjitha këto do të jenë të lidhura në rrjet, me internet.  Do t’u vihet në dispozicion përmbajtje digjitale (laborator virtual për lëndë specifike si gjuha e huaj, lënda TIK, etj.). Projekt madhor që do e kthej shkollën në një hapsir pa kufij.

Trajnimi i mësuesve dhe nxënësve do të jetë i vazhdueshëm dhe nën supervizimin jo vetëm të një bërthame që është krijuar posaçërisht për këtë projekt, por në bashkëpunim me IZHA dhe agjenci të tjera në varësi të MAS-it.

Projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-Edukimit”, realizuar nga kompania austriake BIT Media e-Learning Solution GMBH & Co KG do të ofrojë 3 module:

  • Portali Qendror i Arsimit
  • Platforma E-Learning për ICT Skills dhe gjuhën angleze
  • Platforma E-Learning për lëndët me Authoring (krijim nga mësuesi).

 

Implementimi i Projektit ka filluar tashmë prej muajit gusht dhe parashikohet të realizohet për një periudhë prej 18 muaj dhe në disa faza, duke përfshirë instalimin e infrastrukturës së funksionimit, përshtatjen e tij në gjuhën shqipe, instalimin e përbërësve të ndryshëm të sistemit si dhe fazën e testimit. Për secilën fazë është parashikuar marrja në dorëzim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Finalizimi i projektit do të mundësojë për secilin nxënës aksesin në një paketë kursesh/leksionesh dhe eksperimentesh të krijuara nga një panel mësuesish shqiptarë, si dhe do të shërbejë si një platformë shkëmbimi dijesh dhe përvojash mësimore. Gjithashtu, platforma do të mundësojë zhvillimin e dijes nëpërmjet teknologjive të reja të informacionit dhe të komunikimit.

Aktualisht ne sistemin arsimor XII vjeçar figurojnë në inventar rreth 10,700 kompjutera, pjesa më e madhe e së cilëve prej kohësh të vjetruar dhe jo në gjendje pune. Kemi patur probleme të jashtëzakonshme me lidhjen e internetit, e cila tashmë ka marrë rrugën e zgjidhjes. Gjetëm 1 milion euro borxh. Shlyem borxhin dhe siguruam internetin për shkollat.

Ndaj ju ftoj të votoni “Aktin normativ” duke u dhënë jetë projekteve tona në arsim si politika më e mirë ekonomike në vend. Ne do të vijojmë të flasim me rezultate dhe jo kështu në përgjithësi, por shkollë më shkollë, klasë më klasë, në transparencë e partneritet të plotë me prindërit – studentë- mësues e nxënës.