Ministry of Education and Sports

"Wok & Study", mundësi orjentimi për të rinjtë drejt tregut të punës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishe sot, e pranishme në çeljen e edicionit të pestë të panairit  “Work & Study”, një bashkëpunim mes Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Gjatë fjalës së saj ministrja Nikolla u ndal në rëndësinë që ka ky panair në orientimin e të rinjve drejt tregut të punës si dhe njohjen me mundësitë që u ofrohen nga universitetet e kompanitë që marrin pjesë në panair.

“Falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur realizimin e panairit “Work & Study”, duke u siguruar se qeveria shqiptare dhe MAS do të mundësojnë një histori të re në përqasjen jo vetëm të arsimit të lartë me tregun e punës, por të të gjithë sistemit arsimor”, tha Nikolla.

Krahas reformës së rëndësishme në arsimin e lartë, ministrja u ndal edhe në bashkëpunimin me universitetet publike dhe private për të përfshirë në to programe të caktuara të cilat i orientojnë studentët drejt tregut të punës.  Gjithashtu,  ministrja Nikolla i kushtoi  rëndësi orientimit të të rinjve drejt tregut që në arsimin parauniversitar.

“Lejomëni t’ju bëj me dije se fillesat e këtij orientimi të ri për të përshtatur dijet me atë çfarë kërkon tregu i punës në Shqipëri dhe më gjerë, ka filluar që në arsimin parauniversitar me një kurrikul të re që orienton nxënësit drejt kompetencave, ku një nga më të rëndësishmet është ajo e sipërmarrjes”, u shpreh Lindita Nikolla.

MAS ka stendën e saj në panairin “Work & Study”, ku audienca e interesuar mund të njihet me bursat që ofrohen, këshillimin e karrierës dhe strategjitë për të orientuar të rinjtë drejt kërkesës së tregut të punës.

Këtë vit “Work & Study” synon të hedhë një strategji të re në tregun e punës dhe të studimit. Të dëshmojë rrugën se si brezi i ri sot, të jetë nesër sipërmarrësi i së  ardhmes. Për këtë qëllim në eveniment do të ftohen lektorë me përvojë në fushën e zhvillimit profesional dhe ekonomik. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet orientimit të së gjithë kërkesës së studimit drejt universiteteve shqiptare.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri në datën 5 tetor, në Muzeun Historik Kombëtar.