Ministry of Education and Sports

Deklarata për mediat e Këshilltarit për Median dhe Komunikimin në MAS, Gjergji Hamiti

Nisur nga akuzat e fundit të Partisë Demokratike, se MAS po bën një përndjekje masive ndaj mësuesve profesionistë, për t’i detyruar të lënë punën, që të zëvendësohen nga të rinj, MAS sqaron se:

Ajo çfarë po ndodh në gjithë shkollat e vendit, është thjesht zbatimi i ligjit  “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar nga qeveria e mëparshme dhe i pandryshuar deri më sot.

Sipas Urdhërit të fundit të Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla grupet e punës po zhvillojnë inspektime në gjithë shkollat e vendit për të identifikuar të gjithë mësuesit që japin mësim jashtë profilit të tyre si dhe ata që nuk kanë kualifikimin e duhur.

MAS po zbaton siç duhet ligjin “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” me qëllim për të vendosur rregull në kaosin e lënë nga qeveria e mëparshme në arsimin shqiptar, me mësues të emëruar në kundërshtim me ligjin.

Pas identifikimit që do të bëjnë grupet e inspektimit, procesi do të vijojë me sistemimin e mësuesve sipas profilit për të cilin janë kualifikuar. Nxënësit janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet i MAS dhe qeverisë shqiptare ndaj nuk do të lejojmë që të ketë më, në asnjë shkollë të Shqipërisë, mësues që japin mësim jashtë profilit.

Nuk do të ketë më mësues historie që japin kimi, nuk do të ketë më mësues biologjie që japin letërsi. Ky ishte sistemi që gjetëm, në të cilin po përpiqemi të vendosim rregull në respekt të nxënësve që për ne janë të shtrenjtë dhe mësuesve që për në janë misionarët e rëndësishëm të zhvillimit të vendit.

I gjithë ky proces ka vetëm një qëllim, sistemimin sipas ligjit të arsimtarëve dhe  ngritjen në nivel më të lartë të cilësisë së arsimimit për nxënësit tanë. Inspektimet e MAS kanë qënë transparent që prej fillimit dhe do të vazhdojë të mbeten të tillë. Ky është inspektimi i parë që po bëhet për cilësinë e mësuesve në çdo shkollë të vendit. Gjetjet e këtij inspektimi do të bëhen publike në ditët në vijim.

Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të vendosur rregull në gjithë sistemin e arsimit shqiptar. MAS do të vazhdojë reformat për një arsimim cilësor të nxënësve dhe studentëve tanë.

 

Faleminderit