Ministry of Education and Sports

Dita Ndërkombëtare e Kontrollorëve të Trafikut Ajror

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punonjësve të Trafikut Ajror, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla së bashku me disa nxënës të shkollave 9-vjeçare në vend kanë zhvilluar një vizitë pranë “Albcontrol” për të parë nga afër se si funksionin kontrolli i trafikut ajror.

Pasi panë nga afër disa mjedise të Qendrës së Kontrollit të Trafikut Ajror, Ministrja Nikolla shprehu impresionin e veçantë që la për të dhe për nxënësit kjo vizitë e cila i njohu me punën e  punonjësve të “Albcontrol”.

“Sot është dita e fillimit të vitit të ri akademik dhe pas urimit në mëngjes për studentët, vijojmë me këtë vizitë në mënyrë që nxënësit të njihen me profesione të caktuara dhe në fakt ata sot, kanë fatin të njihen me një profesion të panjohur edhe nga mësuesit e tyre sepse shumë pak e njohin punën e kontrollorit ajror”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se shkollat duhet të orientohen drejt profesioneve dhe aftësimin e të rinjve në përshtatje me tregun e punës, ndërkohë që duhet përfituar edhe nga këto mundësi që japin institucionet e rëndësishme në vend, për t’i njohur nga afër, nxënësit me profesionet.

“Sot, ndjeva  jo vetëm një përqendrim në kufijtë ekstrem, por edhe një aftësim të vyer që kanë kontrollorët e “Albcontrol” të cilët koordinojnë lëvizjet e trafikut ajror, duke u siguruar që avionët të qëndrojnë në një distancë të sigurt. Lexova në sytë e fëmijëve gëzimin dhe kuriozitetin teksa ndiqnim monitorët e punës në këtë qendër”, tha Nikolla.

Ministrja dhe nxënësit, të shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e “Albcontrol”  Belinda Balluku, vizituan gjithashtu Kullën e Qendrës së Kontrollit të Trafikut Ajror ku panë nga afër edhe shkëputjen nga toka të një avioni.