Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në Universitetin e Mjekësisë për çeljen e vitit të ri akademik, 2014-2015

Nuk ka më bukur se sa në detyrën time si Ministre e Arsimit dhe Sportit, t’i uroj gjithë Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend dhe 141. 891 studentëve suksese për vitin e ri akademik 2014-2015.

Është bukur padyshim t’ju drejtohem nga ky mjedis ku kultivohen së bashku frymëzimi, përkushtimi, pasioni jo vetëm për të qenë pjesë e një profesioni të nderuar si ai i mjekut, infermierit, stomatologut, farmacistit, por për të kapërcyer çdo vështirësi në emër të jetës njerëzore.

Të dashur studentë të rinj, ju 1080 që i drejtoheni për herë të parë Universitetit të Mjekësisë, lejomëni të ndaj me ju diçka që tashmë nuk është më personale, dëshirën time të kahershme për t’u bërë mjeke.

Me një pasion dhe zili të veçantë unë kam ndjekur shokët e rinisë time që patën fatin të studionin për mjekësi, por nuk mund të lë pa shprehur edhe vlerat e veçanta të profesionit që unë ndoqa, mësuesisë, për shkak se të tjerë vendosnin për shkollimin tonë.

Ju uroj nga zemra shumë suksese, jo vetëm se keni zgjedhur një profesion të nderuar, por edhe sepse ju jeni maturantët që mbyllët vitin shkollor me rezultatet më të larta. Edhe këtë vit, Universitetit të Mjekësisë i janë drejtuar si gjithmonë maturantët më të mirë.

Ju jeni me fat jo vetëm se do të keni në auditorët tuaja profesorë të nderuar që kanë i kanë dhënë aq shumë shkencës mjekësore dhe qendrave tona spitalore, por edhe sepse këtë vit fillon reforma në arsimin e lartë që do të draftohet me një ligj të ri. Ajo çka është më e rëndësishme është fakti se tashmë gjithë institucionet e arsimit të lartë, privat e publik, i janë kthyer binareve të ligjshmërisë pas nismës parësore të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë.

Grupet e inspektimit kanë ndjekur situatën edhe për këto dy vitet e Universitetit të Mjekësisë, duke verifikuar gjithë fakultetet e tij që na rezultojnë një fillim i mirë për të vijuar reformat në drejtim të cilësisë dhe të një formimi të ri, i lidhur ngushtë me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjithashtu për të vijuar me reformat në drejtim të kërkimit shkencor në mënyrë që titujt shkencorë të mos jenë thjeshtë tituj, por të jenë të lidhur ngushtë me zhvillimin e shkencës.

Ju, gjithashtu, jeni me fat se Universitetit të Mjekësisë iu rikthyen departamentet si njësia bazë jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies, por padyshim edhe si cilësia bazë e kërkimit shkencor.

Komisioni për arsimin e lartë shënoi një standard të ri në politikbërje. Një komision nga bota akademike pjesë e të cilit është edhe Myftar Barbëllushi, të cilin pata nderin ta kem pjesë të komisionit të pavarur për kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë në vend.

Gjithçka që ata kanë bërë është konsultuar me grupet e interesit dhe këto ditë ne po e draftojmë raportin në final në formën e ligjit të ri për arsimin e lartë që do të vazhdojë të debatohet me ju për të kaluar më pas në Parlament.

Të nderuar studentë, kam kënaqësi t’ju flas për gjithçka që do të mund të realizojmë së bashku, pasi ne besojmë fort se politikat arsimore janë politikat më të mira të zhvillimit të vendit. Arsimi nuk është një ishull i vetmuar që u përket vetëm politikanë, MAS apo qeverisë, por është një sektor i rëndësishëm që na përket të gjithëve dhe të gjithë duhet të jemi pjesë për të mundësuar reforma, që të kthejmë realisht cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor shqiptar. Ndaj, ju ftoj të gjithëve profesorë e studentë për t’u bërë pjesë e rëndësishme e gjithë debateve për ligjin e ri të arsimit të lartë.

Universiteti i Mjekësisë ka profile që i kërkon realisht tregu i punës. Ne duhet t’i japim fund situatës së mjekëve në kryeqytet të cilët vijojnë të jenë të papunë, ndërkohë që poliklinikat anë e mbanë vendit lëngojnë për burime njerëzore dhe specialitete në fusha të caktuara.

Me mbështetjen e duhur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Shëndetësisë, me anë të politikave të reja mbështetëse dhe nxitëse do ta kalojmë edhe këtë moment të lënë nga e kaluara.

Pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë u mbyllën ndër të tjera edhe disa filiale të infermierisë dhe jo se ne nuk duam të mbështesim studentët që dëshirojnë të studiojnë për infermieri, por sepse këto institucione nuk ofronin cilësinë e duhur për të gjithë ata që nesër do t’u ofrojnë shërbim pacientëve.

Të nderuar profesorë dhe studentë, shumë shpejt institucionet publike dhe private në vend do të përballen me një moment tjetër që ka të bëjë me procesin e akreditimit. Ju, tashmë, e dini se një Agjenci Britanike, anëtare e ENQA është pjesë e programit tonë për të mbështetur procesin e akreditimit. Cilësia dhe formimi juaj padyshim ka të bëjë me suksesin tuaj nesër në tregun e punës, jo vetëm në Shqipëri po kudo ku ju do zgjidhni të punoni.

Do doja të ndaja me ju një tjetër moment të rëndësishëm të formimit tuaj si qytetarë në vijën e parë të shërbimit dhe që lidhet me një sistem të ri ku shërbimi të jetë profesionalisht i drejtuar ndaj kujtdo. Ndaj, krahas urimit për sukses ju bëj thirrje të lini jashtë çdo rast që ju shformon në këtë misioni fisnik që lidhet me profesionin tuaj. Ne duhet që bashkërisht  të ndërtojmë sisteme që e lënë jashtë korrupsionin, por është po aq e rëndësishme edhe denoncimi që duhet t’i bëjmë si qytetarë këtij fenomeni.

Së fundi, dëshiroj të ndalem tek mundësia që ka Universiteti i Mjekësisë për praktikat profesionale. Kthejeni këtë në një mundësi për më shumë cilësi në formimin tuaj. Përpiquni të përfitoni më shumë jo thjesht nga leksionet e pedagogëve tuaj, por edhe gjatë shërbimit të tyre në QSUT.

Suksese dhe e bardhë qoftë çdo ditë e jetës suaj në shërbim të shqiptarëve!