Ministry of Education and Sports

Hapja e vitit të ri akademik, 2014-2015

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ju uroi suksese studentëve për vitin e ri akademik, 2014-2015, gjatë takimit që zhvilloi sot, në Universitetin e Mjekësisë.

“Ju jeni me fat jo vetëm se do të keni në auditoret tuaja profesorë të nderuar që kanë i kanë dhënë aq shumë shkencës mjekësore dhe qendrave tona spitalore, por jeni me fat edhe sepse këtë vit fillon reforma në arsimin e lartë që do të draftohet më një ligj të ri. Ajo çka është më e rëndësishme është fakti se tashmë gjithë institucionet e arsimit të lartë, privat e publik, i janë kthyer binareve të ligjshmërisë pas nismës parësore të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë”, ju drejtua ministrja Nikolla studentëve.

Ndër të tjera, ministrja shtoi se këto ditë po draftohet në formën e ligjit të ri për arsimin e lartë, raporti përfundimtar i Komisionit për Arsimin e Lartë, që do të vazhdojë të debatohet edhe në këtë fazë me grupet e interesit, për të kaluar më pas në Parlament.

“Arsimi nuk është një ishull i vetmuar që u përket vetëm politikanë, MAS apo qeverisë, por është një sektor i rëndësishëm që na përket të gjithëve dhe të gjithë duhet të jemi pjesë për të mundësuar reforma, që të kthejmë realisht cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor shqiptar”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja shtoi se pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë u mbyllën ndër të tjera edhe disa filiale të infermierisë dhe jo se nuk duheshin mbështetur studentët që dëshirojnë të studiojnë për infermieri, por sepse këto institucione nuk ofronin cilësinë e duhur për të gjithë ata që nesër do t’u ofrojnë shërbim pacientëve

“Të nderuar profesorë dhe studentë, shumë shpejt institucionet publike dhe private në vend do të përballen me një moment tjetër që ka të bëjë me procesin e akreditimit. Ju, tashmë, e dini se një Agjenci Britanike, anëtare e ENQA është pjesë e programit tonë për të mbështetur procesin e akreditimit. Cilësia dhe formimi juaj padyshim ka të bëjë me suksesin tuaj nesër në tregun e punës, jo vetëm në Shqipëri po kudo ku ju do zgjidhni të punoni”, tha Ministrja.

141.891 studentë filluan sot, vitin e ri akademik 2014-2015 nga të cilët 15.941 janë studentë të vitit të parë. 

 

 

Fjala e plotë