Ministry of Education and Sports

Të pastrojmë Shqipërinë

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj prezantoi sot fushatën “Të Pastrojmë Shqipërinë”, e cila ka për qëllim të mobilizojë qytetarët që  të bashkohen në një aksion vullnetar për pastrimin e vendit nga mbeturinat.

Gjatë prezantimit të kësaj nisme, së cilës MAS i bashkohet për të dytin vit, Malaj tha se përfshirja e shkollave në këtë fushatë u jep atyre vlerën reale për të cilën ka nevojë sistemi i edukimit si qendër edukimi dhe promovim i vlerave reale.

“Në kuadër të këtij aksionit  kemi filluar përgatitjet për organizimin e një fushate sensibilizuese të quajtur ‘Green Tour 3’, e  cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe adresimin e problemeve të ambientit përmes 12  Konferencave Rajonale me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë si: Drejtoritë Rajonale Arsimore, Institucionet  dhe Agjencitë Rajonale, Organizata të Shoqërisë Civile, përfaqësues të mediave, komuniteti i biznesit, vullnetarë, etj”, tha Nora Malaj.

 “Green Tour 3” do të nisë në datë 3 Nëntor me qytetin e Durrësit dhe do të vazhdojë në Berat, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër, Kukës për të përfunduar me Konferencën Kombëtare në Tiranë, më 19 Nëntor.

Konferencat që do të zhvillohen  do të jenë në formën e  takimeve të hapura dhe tryezave të rrumbullakëta, ku do të prezantohet aksioni, si edhe do të ketë bisedime lidhur me mjedisin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të angazhojë gjithë stafin e saj dhe do të vërë në dispozicion infrastrukturën e saj për promovimin e fushatës  “Të Pastrojmë Shqipërinë”.  Gjithë DAR/ZA do të promovojnë dhe do të bëhen pjesë e kësaj fushatë nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve dhe përcjelljes së komunikimit në faqet elektronike  zyrtare, dhe rrjeteve të tjera që disponojnë DAR/ZA.

Aksioni “Të pastrojmë Shqipërinë” mbështetet nga Ministria e Arsimit dhe  Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.