Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në 20- vjetorin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar miq e të ftuar,

Kam kënaqësinë të jem përsëri këtu, pas një viti, në këtë event të ngarkuar me një simbolikë të veçantë.

Kënaqësia është e dyfishtë, në këtë 20–vjetor të Universitetit të Vlorës, një përvjetor i rëndësishëm për të gjithë ju, profesorë e studentë, që me jetën tuaj i dhatë jetë këtij institucioni.

Evropa, ideja e Evropës është tashmë më shumë se një ëndërr. Integrimi ynë në të është tashmë një program në të cilin ndërthuren angazhime dhe prioritete që kërkojnë prej nesh një impenjim në radhë të parë si qytetar e më pas në cilësitë tona profesionale.

Duke filluar nga ky vit, Bashkimi Evropian ka përforcuar rritjen e mbështetjes ekonomike financiare për arsimin dhe shkencën. Këtë e dëshmojnë programet si “Horizon 2020”, Programi i BE-së për Kërkim dhe Inovacion i cili premton arritje të mëdha në kërkimin shkencor e që synon sigurimin e konkurueshmërisë së Evropës në nivel global. Ne jemi tashmë pjesëmarrës me titull të plotë në të.

Pra, kjo mbështetje tregon se sot më shumë se kurrë, është e qartë se rruga e integrimit kalon nga shkollat tona, nga universitetet tona.

Ndaj, ne qëndrojmë me bindjen për një arsim cilësor! Ne qëndrojmë për një shkollë cilësore, për një universitet cilësor.

Është domosdoshmëri dhe urgjencë se, ne duhet të rilindim dijen e nëpërmjet saj të rilindim njeriun. T’i hapim rrugën e hapësira talentit dhe gjenialitetit kombëtar, identitetit tonë kulturor në gjirin e familjes evropiane duke e filluar nga këtu, nga pragu i derës, nga njeriu i së nesërmes, nga shkolla, nga universiteti.

Kjo është arsyeja pse ne vendosëm t’u thoshim jo diplomave plaçkë, universiteteve kioskë, shkollave ku nota merrej pa merita, maturës që i mbushte auditorët me të rinj të paaftësuar për t’u përballur me sfidat e dijes dhe të njohurive, të cilat falë zhvillimeve teknologjike, ecin e përparojnë me ritme të përshpejtuara.

Të dashur studentë, profesorë, miq e të ftuar, kam bindjen që nuk është aspak e ekzagjeruar të themi se Evropa që ne sot njohim ka lindur, është skalitur si ideal dhe vizion pikërisht në auditorët e universiteteve si motra anembanë saj.

Universiteti, dija, formimi akademik dhe shkencor, kërkimi shkencor janë instrumente të vyer për shoqëritë që mëtojnë të bashkëjetojnë në këtë familje. Dija ndërton progres!

Universiteti që ne duam, universiteti që do të ndërtojmë së bashku, duke filluar nga Reforma e Arsimit të Lartë, e cila tashmë është e mishëruar në një draft-ligj që do të prezantohet shumë shpejt e do të diskutohet në Kuvend, është një universitet si qendër prej së cilës marrin jetë të gjitha zhvillimet që prekin jetën ekonomike dhe sociale të vendit.

Një universitet me pavarësi reale, që ndërvepron me biznesin, me sipërmarrjen, me komunitetin, që e vë dijen dhe shkencën në shërbim të tij, ky është universiteti që ne duam.

Të dashur miq e të ftuar, në një botë ku çdo kufi, madje dhe ai i njohjes dhe pranimit të tjetrit, tejkalohen vetëm falë dijes, u takon juve, institucioneve të arsimit të lartë që të angazhoheni në vijë të parë në ndërtimin e rrugëve të integrimit të vendit.

Si Ministre e Arsimit dhe Sportit, shpreh angazhimin e institucionit që unë drejtoj për t’ju mbështetur pa asnjë kusht tjetër, përveçse kërkesës për cilësi në këtë sfidë të madhe për ju e për shoqërinë tonë.

Evropa fillon nga pragu i derës, Evropa ndërtohet këtu, ku jetojmë e studiojmë.

Edhe njëherë, falënderoj organizatorët për ftesën, përshëndes studentët dhe stafin akademik duke ju uruar punë të mbarë në këtë fillim viti akademik 2014-2015.

Suksese në punën tuaj!