Ministry of Education and Sports

20 vjetori i Universitetit të Vlorës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka marrë sot, pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të themelimit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.

Duke uruar studentët e pedagogët për përvjetorin e universitetit, ministrja Nikolla tha se mbështetje financiare për arsimin dhe shkencën nga Bashkimi Evropian me programe si, “Horizon 2020” tregon qartë se rruga e integrimit kalon nga shkollat, nga universitetet tona.

“Universiteti që ne duam, universiteti që do të ndërtojmë së bashku, duke filluar nga Reforma e Arsimit të Lartë, e cila tashmë është e mishëruar në një draft-ligj që do të prezantohet shumë shpejt e do të diskutohet në Kuvend, është një universitet si qendër prej së cilës marrin jetë të gjitha zhvillimet që prekin jetën ekonomike dhe sociale të vendit”, tha Nikolla.

Gjatë fjalës së saj, ministrja shtoi se kjo është arsyeja pse u vendos t’u thuhej jo diplomave plaçkë, universiteteve kioskë, shkollave ku nota merrej pa merita, maturës që i mbushte auditorët me të rinj të paaftësuar për t’u përballur me sfidat e dijes dhe të njohurive.

I pranishëm në ceremoninë e Universitetit të Vlorës ishte edhe Kryeministri, Edi Rama i cili tha se në këtë auditor, pas 20 vitesh pune, eksperience, suksesesh, dështimesh është vendi i duhur për të folur për domosdoshmërinë e një kapërcimi të madh, që universitetet tona duhet të bëjnë për t’u hapur karshi inovacionit nga njëra anë dhe për të qenë të hapura në raport me tregun e punës dhe me komunitetin, nga ana tjetër.

“Reformat tona janë në radhë të parë, reforma të fokusuara tek domosdoshmëria për të çliruar energji të reja në funksion të dijes, në funksion të inovacionit dhe në funksion të një progresi, që mbi të gjithë duhet të jetë i qëndrueshëm dhe dija dhe eksperienca të përkthehen në rezultate konkrete dhe investimet të kthehen në projekte, të realizuara me rezultate të ndryshme nga ato të së shkuarës”, tha Kryeministri Rama.

Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë hapi dyert për studentët në tetor të vitit 1994. Ky Universitet e filloi punën me vetëm dy doktorë shkencash, ndërsa sot janë 3 profesorë doktorë, 6 profesorë të asociuar dhe një numër i konsiderueshëm doktorësh shkencash, përafërsisht 200 profesorë, docentë dhe lektorë me kohë të plotë. Sot, ky universitet numëron 5 fakultete dhe 18 departamente me mbi 10.000 studentë në tre nivelet e studimit.