Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla në ekspozitën për 25-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë në Çekosllovaki

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në çeljen e ekspozitës “Nga Pranvera e Pragës deri në Revolucionin e Kadifenjtë”, në kuadër të 25-vjetorit të Revolucionit të Kadifenjtë në Çekosllovaki.

Ministrja vlerësoi ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, e cila, sipas saj dëshmon më së miri, përpjekjet dhe aspiratat për liri të një populli, në vitet 1968-’69, të cilat  u mbytën nga ndërhyrja e dhunshme e trupave ushtarake të paktit të Varshavës.

“Vetëflijimi i studentëve Jan Palak dhe Jan Zajic në emër të demokracisë dhe lirisë frymëzuan dhe mbajtën gjallë përgjatë 20 viteve mendimin për liri. Mendim që u konkretizua me  ngjarjet e vitit ‘89, i njohur ndryshe si Revolucioni i Kadifenjtë. Nëpërmjet këtyre fotografive historike, të cilat ilustrojnë më së miri dëshirën e sovranit për liri dhe demokraci, ne përkujtojmë me nderim ato të rinj dhe të reja simbol të kësaj periudhe historike”, tha Nikolla.

Periudha e tranzicionit dhe modeli çek, deklaroi ministrja, ka qenë një frymëzim për revolucione të ngjashme për përmbysjen e regjimeve totalitare dhe diktatoriale në të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe më gjerë.

“Ajo periudhë i ka shërbyer historisë si një shembull i mirë referimi për kalimin e pushteteve nga totalitarizmi në demokraci. Jehona e saj, padyshim, ndikoi edhe në lëvizjen studentore të dhjetorit”, tha ministrja Lindita Nikolla duke shtuar se vuajtjet e popullit çek nuk janë të panjohura për popullin shqiptar, duke qenë se edhe ne kemi kaluar përmes një periudhe të errët të regjimit totalitar diktatorial.

Të pranishëm në çeljen e ekspozitës “Nga Pranvera e Pragës deri në Revolucionin e Kadifenjtë”, ishin Presidenti i  Dhomës së Deputetëve Çek, Jan Hamacek dhe Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Ekspozita “Nga Pranvera e Pragës deri në Revolucionin e Kadifenjtë” prezanton 60-të fotografi të shkrepura në vitet 1968-1969 dhe 1988-1989.