Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Konferencën e parë ndërkombëtare në fushën e shkencave të aplikuara "New Technologies and Applications in Medicine, NTAM 2014" organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Të nderuar profesorë

Të nderuar të ftuar

Kjo konferencë është një shembull i mirë për faktin se sa i rëndësishëm është  kërkimi shkencor,  i lidhur  ngushtë me jetën akademike të çdo departamenti si dhe me cilësinë në arsimin e lartë.

Gjithashtu, është po kaq e rëndësishme edhe për mënyrën se si edukimi ndërdisiplinor dhe teknologjia kthehen në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës dhe shpëtimit të jetës.

Unë dhe Ministri i Shëndetësisë, Z. Beqaj jemi sot, këtu si pjesë e kabinetit qeverisës, jo vetëm për të ofruar mbështetje, por edhe për të inkurajuar që studime të tilla shkencore dhe teknologjike të jenë pjesë e përmirësimit të cilësisë së jetës dhe zbatimin e tyre real në institucionet tona shëndetësore.

Për qeverinë shqiptare, teknologjia, shkenca, inovacioni janë prioritete të lidhura ngushtë me zhvillimin në shumë fusha të jetës dhe të shoqërisë, por gjithashtu janë po aq edhe një vlerë për cilësinë e ofruar në arsimin e lartë.

Falë punës suaj dhe gjithçka që ju doni të ofroni në këtë konferencë, arsimi shqiptar, shkenca shqiptare dhe universitetet shqiptare gjejnë sot arsye për t’u krenuar. Faleminderit që na jepni këtë mundësi dhe përtej kësaj ju shpreh mirënjohjen dhe gatishmërinë  për të ofruar mbështetjen e duhur që tema të tilla dhe aplikime të tilla të mos jenë vetëm pjesë e disa dokumenteve, por realisht të gjejnë zbatim në fusha të rëndësishme të jetës së vendit.

Në emër të Kryeministrit  Edi Rama ju garantoj mbështetje, duke ju vënë në radhë të parë të gjithë politikbërjes së vendit dhe duke bërë gjithçka të mundur përmes mbështetjes buxhetore dhe me anë të projekteve si “Horizon 2020”, në mënyrë që cilësia e universiteteve tona të jetë ajo e duhura, ajo që ju profesorë të nderuar përfaqësoni dhe që studentët meritojnë që realisht UPT dhe gjithë IAL –të të rreshtohen me dinjitet në hapësirën  evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Këtë do ta tregojmë çdo ditë me punë dhe me mbështetje për një erë të re në arsimin e lartë, jo vetëm me anë të reformës së re në arsimin e lartë, por edhe me mbështetjen buxhetore nga qeveria shqiptare dhe sigurisht me gjithë mbështetjen e punës suaj të nderuar, që ju profesorë bëni.

Suksese dhe punë të mbarë!