Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në seancën dëgjimore të Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik për të diskutuar mbi rezultatet e inspektimit të burimeve njerëzore në institucionet e  arsimit parauniversitar dhe menaxhimin e tyre.

Ministrja Nikolla deklaroi se nga inspektimi rezultuan tepër, mbi nevojat 1184 mësues në të gjithë Shqipërinë, 2065 mësues jashtë profilit dhe 1984 mësues pa arsimin përkatës. Gjatë 11 ditëve të pandërprera të inspektimit, 13 inspektorë të MAS-it, inspektuan 1340 shkolla 9-vjeçare dhe 386 shkolla të mesme në të gjithë Shqipërinë, duke komunikuar sy më sy me 1726 drejtorë.

Në kuadër të nismës “Mësues për Shqipërinë”, MAS do të prezantojë këto ditë portalin kombëtar ku mund të regjistrohen të gjithë aplikantët për mësues, të cilët më pas do t’i nënshtrohen një provimi kombëtar.

Në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar, Ministrja Lindita Nikolla diskutoi edhe mbi fondet e parashikuara në projektligjin  “Për buxhetin e vitit 2015” , për  Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të cilat sipas saj synojnë përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në të gjitha nivelet, përmes përmirësimit të infrastrukturës, kurrikulave, teknologjisë dhe aftësive të arsimtarëve dhe pedagogëve.

Buxheti për vitin 2015 është fokusuar në katër prioritet bazë të arsimit: arsimin parauniversitar, (përfshirë arsimin parashkollor), arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e sportit.

Fondet e parashikuara  për  Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për vitin 2015 (pa programin e arsimit profesional, i cili është transferuar tek MMRS) në projektligjin  “Për buxhetin e vitit 2015” ,  në total janë 39 miliardë e 130 milion lekë.

Buxheti i MAS-it,  në raport me  totalin e shpenzimeve buxhetore për vitin 2015 arrin në  8.3%  ndaj Produktit të Brendshëm Bruto  2.62 %.

Në vitin 2015 bëhet realitet edhe transferimi i programit buxhetor të arsimit profesional nga MAS tek MMRS dhe nëse buxhetit të arsimit do t’i shtojmë edhe fondet që janë transferuar tek MMRS për arsimin profesional, totali i buxhetit për arsimin arrin në 41,3 miliardë lekë  ose 2.75% e PPB dhe 8,9% e shpenzimeve publike. Një rritje prej 3% krahasuar me buxhetin e vitit 2014 dhe 9% krahasuar me realizimin e buxhetit për vitin 2013.

 

Fondet  për  “Sektorin e Arsimit” të parashikuara për vitin 2015, ku janë pjesë e buxhetit të arsimit edhe të ardhurat dytësore të IAL-ve publike, si dhe të ardhurat e tjera nga të tretë, përfshirë  buxhetin e Ministrinë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Mbrojtjes, pjesa për arsimin e buxhetit të njësive të pushtetit vendor, si dhe fondet nga projekte të veçantë të donatorëve (*pa  përfshirë shpenzimet familjare dhe shpenzimet për arsimin nga institucione private). Krahasuar me shpenzimet buxhetore për vitin 2015 fondet për arsimin parashikohet të arrijnë në 11.1% dhe ndaj produktit të brendshëm bruto në 3.42 %.  Duke përfshirë edhe buxhetin për fondet rajonale, në tërësinë e tij buxheti për arsimin shkon 50.9 miliardë lekë.

 

I. Arsimi Parauniversitar (përfshirë arsimin parashkollor)

Viti 2015 do të jetë viti i përmirësimit të niveleve arsimore të sistemit parauniversitar (parashkollor, 9-vjeçar, i mesëm dhe i lartë), si edhe i kushteve të shkollimit dhe standardeve të të nxënit,  për rreth 80, 000 fëmijë në arsimin parashkollor, për 356.286 nxënës të arsimit bazë dhe 134.644 të arsimit të mesëm. Njëkohësisht:

Për nivelin e arsimit parashkollor do të hartohen dhe do të pilotohen standardet e zhvillimit dhe të nxënies për moshat përkatëse (3-6 vjeç) dhe, mbi këtë bazë, do të hartohet kurrikula e re e arsimit parashkollor (planet, programet, mjetet didaktike gjegjëse etj.) në shërbim të rreth 72.910 fëmijëve.

Për tri nivelet e arsimit parauniversitar, do të hartohet kurrikula e re dhe do vijojë pilotimi i saj në vitet II, VII dhe X.

Me përparësi do të adresohen problemet e teksteve të reja shkollore (kuadri rregullator, procedurat e reja të botimit, etj.).

Me përparësi do të trajtohet infrastruktura shkollore. Në këtë aspekt, do të financohen 63 objekte arsimore dhe 46 terrene sportive, duke synuar reduktimin e mësimit me turne dhe uljen e numrit të nxënësve në klasë (30 nxënës/klasë) dhe intensifikimin e procesit të kthimit të shkollave në qendra komunitare.

Përmirësimet në infrastrukturë përfshijnë pajisjet, bazën e nevojshme materiale dhe mjetet didaktike, shtimin e kabineteve dhe laboratorëve shkencorë, ofrimin e shërbimit të internetit në 1350 shkolla, zbatimin e platformës e-learning, në kuadër të sigurimit të kredisë me terma të butë nga Qeveria Austriake, si dhe do të zbatohet projekti i pajisjes me tableta të nxënësve të kl. X-XI-XII të arsimit të mesëm të përgjithshëm, mundësuar nga buxheti.

Shtresat sociale në nevojë dhe kategoritë e veçanta do të mbështeten edhe me shërbimin e transportit falas për rreth 30.000 nxënës dhe 11.000 mësues.

Do të rimbursohen shpenzimet e blerjes së teksteve shkollore për rreth 120 mijë nxënës, do të pajisjen me tekste falas fëmijët e minoritetit dhe ata të diasporës, si dhe do të trajtohen me bursa 3500 nxënës, përfshirë kategoritë e personave me aftësi të kufizuara dhe nxënësit që vijnë nga familjet në nevojë.

Në kuadër të “Shkolla qendër komunitare” do të vijojë financimi për terrenet sportive, si dhe mbështetja e programit të edukimit fizik me personelin e nevojshme. Në shkollat e sistemit parauniversitar do te përfshihen në sistem edhe 740 mësues te edukimit fizik,

 

II. Arsimi i Lartë

Në vitin 2015 do të vijojë reforma e nisur në këtë sektor, duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe atë rregullator;

Do të reformohet skema e financimit të IAL-ve publike dhe kredisë studentore, skemë që do të zbatohet nga një Agjenci e posaçme;

Do të mbështetet me fonde buxhetore përmirësimi dhe zgjerimi i infrastrukturës së IAL-ve publike;

Fokus të posaçëm do të ketë përmirësimi i cilësisë së IAL-ve, duke vijuar monitorimin e zbatimit të ligjshmërisë së tyre, si dhe duke forcuar kontrollin për përmbushjen e standardeve të akreditimit të tyre. Do të trajtohen me bursa rreth 8000 studentë.

  • Njëkohësisht, synim do të jetë edhe:
  • Akreditimi institucional i Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe kontraktimi i një agjencie të huaj për këtë qëllim;

 

Rritja e kapaciteteve në staf dhe infrastrukturë të IAL-ve, si dhe i nevojave të tregut të punës, rritjen e numrit të pedagogëve me 800, rritjen e numrit të laboratorëve shkencorë dhe/ose përmirësimin dhe zgjerimin e tyre, përmirësim i infrastrukturës ekzistuese të IAL-ve dhe ngritja e godinave të reja, rritja e aksesit në bibliotekat dhe revistat on-line dhe krijimi i një rrjeti bibliotekash shkencore, si dhe hartimi i nevojave reale për këto komponentë;

Përgatitja e regjistrit elektronik kombëtar të diplomave universitare në bashkëpunim me RASH për të rritur transparencën dhe ulur korrupsionin, si dhe i një Databaze kombëtare për regjistrin e studentëve, të dhënat e karrierës akademike, diplomimit, provimet e shtetit, të dhënat e stafit akademik, etj.;

Realizimi i politikave të përfshirjes sociale dhe aksesit të gjerë në arsimin e lartë nëpërmjet skemës së kredidhënies studentore dhe mbështetjes financiare për përmirësimin e kushteve në shtëpitë e studentëve, heqjen e barrierave arkitektonike në IAL, përfshirjen e kategorive të tjera të veçanta në kuotat e parashikuara për këto kategori.

 

III. Kërkimi shkencor

Do të mbështetet pjesëmarrja e Shqipërisë në programin “Horizon 2020” dhe “Erasmus+”, me një kontribut vjetor prej rreth 1.1 milionë EUR, duke siguruar mbështetjen e kërkuesve shqiptarë në këto projekte të rëndësishme kërkimore-shkencore.

Do të mbështeten financiarisht studentët ekselentë që studiojnë në 15 universitetet më të mira, referuar renditjes së “Times Higher Education”.

Do të mbështeten punonjësit e administratës publike, të përfitojnë trajnime/kualifikime apo studime të ciklit të dytë dhe të tretë në 300 universitetet më të mira të botës.

Do të reformohet Agjencia e Kërkimit Shkencor, në përputhje me kuadrin e ri rregullator dhe ligjor të IAL-ve.

 

IV. Zhvillimi i Sportit

Në vitin 2015, do të mbështeten me grand buxhetor Federatat Sportive Olimpike, duke synuar kualifikimin e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, si viti i kualifikimeve për pjesëmarrjen në Olimpiadë.

Do të përmirësohet infrastruktura sportive, duke financuar projektin “Tirana Olimpik Park”, i cili do të mundësojë krijimin e mjediseve të përshtatshme dhe cilësore për ushtrimin e sporteve, veçanërisht për sportet e peshëngritjes, mundjes, artet marciale, lojërat me dorë, duke i shndërruar mjediset e agjencisë ekzistuese të sportit në Qendër Kombëtare shumëfunksionale.