Ministry of Education and Sports

Në shkollën "Musine Kokalari" për 70-vjetorin e çlirimit të Tiranës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në aktivitetin festiv të shkollës 9-vjeçare Musine Kokalari, në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Tiranës.

Në këtë ditë të shënuar historike, Ministrja Nikolla përcolli tek nxënësit mesazhin e ruajtjes së vlerave kombëtare dhe zhvillimit të kulturës së bashkëpunimit me të tjerët.

“Shqipëria është një vend i NATO-s, kandidat për Bashkimin Evropian ndaj ajo që kërkohet nga ne sot, është zhvillimi i një pasionit të ri, ai i qytetarit evropian dhe i Shqipërisë evropiane, duke ruajtur vlerat e vendit tonë. Duhet të zhvillojmë kulturën e dialogut duke komunikuar me njëri-tjetrin, larg dhunës dhe urrejtjes, duke dashur vendin dhe po ashtu edhe të tjerët, duke parë ato gjëra që na bashkojnë”, tha Nikolla.

Ministrja përgëzoi nxënësit e talentuar për performancat e tyre artistike. Shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet në vend, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore, po organizojnë disa aktivitete  edhe me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.