Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla në diskutimin e të rinjve, aktivistë të të drejtave të njeriut

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka marrë pjesë sot në diskutimin e të rinjve, aktivistë të të drejtave të njeriut, organizuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).

Disa prej studentëve treguan interes për vendimin e mbylljes së 18 Institucioneve të Arsimit të Larë dhe kriteret që u vendosën për transferimin e tyre në IAL-të e tjera, publike ose private.

Ministrja Nikolla sqaroi se pas mbylljes së 18 IAL-ve private, në bashkëpunim me rektorët e universiteteve u mundësua transferimi i studentëve, duke zbatuar  ligjin e arsimit të lartë për transferimet, i cili kërkon ekuivalentimin e krediteve që studentët kanë marrë gjatë viteve të studimit. “MAS ka asistuar studentët për t’ua lehtësuar procesin e transferimit duke u mundësuar dokumentet që u mungonin, ndërsa ekuivalentimi i krediteve është bëra nga universitetet pritëse”, tha Nikolla.

Studentët e pranishëm diskutuan me Ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe me Ministren e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla në lidhje me nismat e qeverisë për fëmijët e ngujuar dhe edukimin e tyre.

“Në kuadër të nismës ‘Të ngujojmë gjakmarrjen’, Universiteti i Shkodrës, po komunikon me familjet e ngujuara apo me familjet që kërkojnë gjakmarrje, për të mundësuar një histori të re për këto familje, një histori që i përket Shqipërisë evropiane. Por më shumë se sa një çështje edukimi për këta fëmijë me rendësi është mungesa e lirisë. Ndaj e gjithë shoqëria, të gjithë institucionet kanë për detyrë të ngujojnë gjakmarrjen”, tha Nikolla.

Ministrja iu përgjigj edhe interesit për kuotat e kategorive të veçanta për studime në IAL-të  publike, duke thënë se jo vetëm që ka një rritje të këtyre kuotave, duke i kushtuar më shumë vëmendje kategorive me status të veçantë, por gjithashtu është zgjeruar edhe grupi i përfituesve. Znj. Nikolla shtoi se për herë të parë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, aplikantët për këto kuota u intervistuan nga një komision i posaçëm, me qëllim që përzgjedhja të ishte sa më korrektë dhe transparentë.

Gjithashtu, Ministrja Nikolla sqaroi për nxënësit se MAS është angazhuar në kalimin nga kurrikula e bazuar në objektiva, në kurrikulën të orientuar drejt kompetencave, me qëllim përshtatjen e dijeve të shkollës me kërkesat e tregut të punës.

Ministrja Nikolla, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ishin të ftuarit e panelit ku iu përgjigjën pyetjeve të nxënësve dhe studentëve.

Krahas pyetjeve për arsimin studentët dhe nxënësit shprehën interes edhe për disa çështje të rëndësishme si, punësimi i tyre, shërbimi shëndetësor, siguria, arsimi profesional, etj.

Forumi organizohet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe mbahet njëkohësisht në të gjitha vendet e botës anëtarë të kësaj organizate.