Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Konferencën e përbashkët për mediat me Ministrin e Edukimit dhe Çështjeve Fetare të Greqisë, Andreas Loverdos.

Përshëndetje të gjithëve!

I nderuar Ministër Loverdos!

Kam privilegjin që sot të ndaj me ju një moment të rëndësishëm të intensifikimit të bashkëpunimit dhe fuqizimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Vizita të nivelit të lartë si kjo dhe ajo e muajit mars që ne zhvilluam në Athinë, na shërbejnë si nxitje për të avancuar më tej dhe më shpejt në çështje me interes të përbashkët.

Dinamika e vizitave dhe intensifikimi i kontakteve të shumta politike në nivele të larta këto dy vitet e fundit kanë shënuar një nivel të ri të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Kam bindjen se ky stad i ri, i marrëdhënieve shumë të mira së shpejti do përkthehet në përfitim në terma aksesi dhe cilësie për të dyja palët edhe në arsim e sport.

Komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë për ne ura të rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi midis vendeve tona. Në veçanti bashkëpunimi në fushat e arsimit dhe sportit i zgjerojnë dhe konsolidojnë këto ura.

Lejomëni të përmend këtu një fakt të këtyre ditëve. Dy sportistë  shqiptarë  sot kampion bote në

peshëngritje u stërviten jo vetëm në palestrat greke të peshëngritjes, por edhe me ndihmën e trajnerit të ekipit kombëtar grek të peshëngritjes  të madhit Luan Shabani, bashkëkombësit tonë.

Po ashtu, kontributet tona respektive, si nga autoritet qendrore dhe lokale, janë të vyera dhe duhen mbajtur në fokus për një përmirësim të vazhdueshëm në  dobi të arsimit dhe edukimit cilësor, si dhe kultivimit tek fëmijët tanë të vlerave dhe parimeve evropiane.

Armiqtë e fëmijëve tanë, dhe tonat padyshim,  janë të njëjtët. Janë papunësia, borxhi publik, varfëria. E sfida  në të dy vendet tona është investimi në kapitalin human përmes një sistemi cilësor dijesh, si politika më e mirë  në luftën kundër këtyre armiqve të përbashkët.  Përpara kësaj sfide nuk duhet të ketë probleme që dominojnë, por mundësi të reja që zgjidhin problemet dhe kontribuojnë në forcimin e miqësisë, mirëbesimit reciprok, stabilitetit dhe integrimeve evropiane.

E informova Ministrin Loverdos se për herë të parë, pas më shumë se një dekadë, shkollat e minoritetit janë pajisur me tekstet shkollore në gjuhën greke përpara fillimit të shkollës. Qeveria shqiptare përmbushi angazhimin edhe për përmirësimin e cilësisë së tyre duke konsultuar mësuesit në këto shkolla dhe duke vendosur për botim tekstet që mësuesit i vlerësonin si më cilësorë.  Gjuha greke po ashtu është pjesë e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore.

Në respekt të të drejtave të minoritetit, në shkollat e minoritetit është garantuar që asnjë fëmijë të mos privohet nga e drejta për  t’u arsimuar në gjuhën amtare.

Këtë vit, me kërkesë të banorëve të fshatrave Derviçan dhe Frashtan, me mbështetje të pushtetit vendor u bë e mundur rihapja e dy klasave parashkollore me fëmijë të riatdhesuar dhe jo vetëm.

Dy institucione arsimore të minoritetit, Shkolla e Mesme Derviçan dhe gjimnazi gjuhësor “Pandeli Sotiri”, janë përfshirë në kuadër të projektit tonë, Shkolla si Qendër Komunitare që në vitin e parë të pilotimit.

Po ashtu, projekte për infrastrukturën shkollore ku studiojnë fëmijë të minoritetit dhe ata shqiptarë do të jenë pjesë e investimeve buxhetore të vitit 2015.

Shoqëria shqiptare ka një balancë pozitive për sa i përket mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve, duke u renditur ndër shtetet, të cilat janë angazhuar në përmbushje të standardeve ndërkombëtare, të respektimit të të drejtave të pakicave. Një fakt i tillë është evidentuar edhe në një sërë raportesh e studimesh të bëra nga organizata ndërkombëtare në çështjet e respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Nga ana tjetër unë dëshiroj të falënderoj autoritet greke qendrore dhe vendore në mbështetje të integrimit të plotë të komunitetit shqiptar në Greqi, dhe në veçanti, në drejtim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqipe.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj ata mësues shqiptar të cilët në qytete të ndryshme të Greqisë me pasionin e tyre garantojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët.

Por, sigurisht, ka ende punë për të bërë dhe gjatë takimeve tona sot ne shprehëm këtë gatishmëri të përbashkët.

Sot, ne riaktivizuam Komisionin e Përbashkët për studimin e paraqitjes së teksteve shkollore në fushën e historisë, gjeografisë, kulturës dhe ekonomisë, bazuar në frymën dhe parimet e UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës.

Kjo është një shenjë e qartë se marrëdhëniet tona përcaktohen nga vullneti ynë për t’i kontribuar forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm, paqes, stabilitetit dhe integrimeve evropiane, në frymën e së drejtës ndërkombëtare dhe në respekt të kuadrit ligjor të brendshëm të secilit vend.

Për ne, Greqia është një partner i rëndësishëm në shumë dimensione e fusha dhe që gjatë muajve të fundit u shpreh me mbështetjen që Shqipëria mori, gjatë presidencës greke, në përfitim të statusit kandidat në BE. Pikërisht hapësira e përbashkët evropiane na ofron mundësi të reja dhe shumë përfituese nëpërmjet programeve të BE-së si “Erasmus +” dhe “Horizon 2020” në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Në përfundim dëshiroj të shpreh edhe njëherë gatishmërinë dhe vullnetin tim të palëkundur për të garantuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, ata të komunitetit tonë në Greqi dhe të minoritetit grek në Shqipëri, kundrejt detyrimit për një arsim e edukim cilësor.    

Faleminderit!