Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla bashkëbisedim me fëmijët për të drejtat e tyre

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë, pasditen e djeshme, në dialogun me fëmijë e të rinj, organizuar nga UNICEF, në kuadër të 25-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.

Gjatë takimit në Qendrën e Informimit të BE-së, Ministrja iu përgjigj pyetjeve të nxënësve në lidhje me politikat e institucionit që ajo drejton, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, sidomos për fëmijët që vijnë nga shtresat në nevojë.

Ndër të tjera, Ministrja Nikolla theksoi se fëmijët janë e ardhmja, por me rëndësi është që të punohet fort për atë që është e tashmja e fëmijëve në mënyrë që e ardhmja e tyre të jetë më e sigurt, më e paqtë.

“Po punojmë me mësuesit për një reformë të re, për një shkollë që fokusohet tek aftësimi juaj  për jetën. Një shkollë më miqësore ku të gjithë respektojnë njëri-tjetrin duke punuar së bashku dhe mbështetur fëmijët me nevoja specifike”, iu drejtuar Ministrja Nikolla fëmijëve.

Ministrja iu garantoi atyre se do të jetë pranë tyre, jo vetëm në ditë të rëndësishme si ajo e përvjetorit të Konventës për të Drejtat e Njeriut, por në çdo orë mësimi, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet e që të mundësohet një realitet të ri i edukimit të tyre.

25 vjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, bashkoi në Qendrën e Informimit të Bashkimit Evropian, Shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri,  Romana Vlahutin, Shefen e Misionit të UNICEF në Shqipëri, Antonella Scolamiero, si dhe Drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Ina Verzivolli, për të bashkëbiseduar më një grup të rinjsh mbi çështjet e mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri si dhe mbi shqetësimet e zbatimit të rekomandimeve të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Konventa për mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, është traktati më i nënshkruari i të drejtave të njeriut në historinë e njerëzimit, dhe ka transformuar mënyrën se si fëmijët trajtohen në mbarë botën. Shqipëria e ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1992.