Ministry of Education and Sports

Raporti publik i Maturës Shtetërore

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot, raportin publik të Maturës Shtetërore 2013-2014, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Universitetin e Arteve.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se ky raport publik, një studim shkencor për atë që u arrit në Maturën Shtetërore, tregon më së miri atë që publiku, familjet e 46 mijë maturantëve e prekën në fund vitin e kaluar shkollor duke e përcaktuar këtë maturë si një ndër reformat më të mëdha në arsimin parauniversitar.

“Vetëm rritja e pragut të kalimit, dhe miradministrimi  bëri që sot në universitetet publike të kemi një cilësi më të lartë në të pranuarit në vitin e parë. Sot, kemi 160 programe studimi në universitetet publike që mesatarja e të pranuarve është shumë më e lartë se ajo e viteve të kaluar. Pikët mesatare të përllogaritura për studentët e pranuar janë rritur në 218 programet e studimit”, tha Lindita Nikolla.

Shkollat më të mira sipas katër treguesve të Maturës Shtetërore, kanë rezultuar: “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Qemail Stafa”, në Tiranë, “28 Nëntori”në Shkodër, “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, “Ali Demi” Vlorë, “18 Tetori” Lushnje dhe “Naim Frashëri” Durrës.

“Në këtë maturë nuk ja dolën të kalonin 13.616 maturantë. Për ata dhe për të gjithë të tjerët më pas ne analizojmë sot shkaqet dhe po përcaktojmë detyrat për të ardhmen. Në 9 vite të Maturave Shtetërore nuk pati asnjë raportim publik analizë si kjo, por vetëm botimi rutinë vjetor, me zero përmasë publike”, shtoi Ministrja.

Sipas saj, kjo analizë do  shërbejë për të argumentuar nevojat e tekstit unik, për të mbështetur mësuesit për të bërë më mirë detyrën, për të adresuar më mirë pabarazinë në arsim, etj.

“Ne mundësuam një proces me standard të unifikuar, ofruam siguri dhe cilësi. Treguam, të gjithë së bashku, se për të ndërtuar procese me të vërtetë demokratike duhet vullnet i qartë për të respektuar ligjin dhe partneritet i shëndoshë midis institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në to, e më gjerë, të shoqërisë në tërësi”, tha Lindita Nikolla.

 

Raporti