Ministry of Education and Sports

Konkursi Kombëtar i Pikturës

Në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi Konkursin Kombëtar të Pikturës, ku morën pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve nga i gjithë vendi.

Punimet artistike më të mira ishin ekspozuar sot, në Universitetin e Arteve ku dhe u ndanë çmimet për veprat më të mira. Gjatë ndarjes së çmimeve Ministrja Nikolla përgëzoi nxënësit për krijimet e tyre dhe u shprehu mbështetjen për talentet dhe pasionet e tyre.

“Falë angazhimit tuaj të veçantë dhe të mësuesve tuaj, në këtë vit jubilar, festa e 70-vjetorit, e mbushur me aktivitete në gjithë Shqipërinë duke filluar nga fëmijët e kopshteve e deri tek maturantët e gjimnazeve, ka marrë një përmasë të re, lirie, atdhedashurie e krenarie kombëtare. Do të vazhdojmë të jemi pranë jush për t’i dhënë krah pasionit tuaj”, tha Lindita Nikolla.

Çmimin e parë e mori piktura e nxënësve të shkollës teknike elektrike “Gjergji Canco”, Klevis Xhaferaj, Romario Duraj, Franc Selimi, Xhenaldo Kolaj. Dy çmimet e dyta u fituan nga Elis Gjana, gjimnazi “Ismail Qemali” dhe Anila Elezi nga “Tahir Sinani” Paskuqan. Kurse çmimet e treta u fituan nga Eugjen Hasanaj “Ismail Qemali”, Danja Arapi nga shkolla “Internacionale”, Vlorë dhe Albana Karasani “Jakov Xoxa” Fier.

Juria e përbërë nga përfaqësues të Drejtorive Arsimore vlerësoi me Çmimin inkurajues punimin e nxënëses Kejsi Duqi nga shkolla “Sadik Stavaleci”, Kashar.

Përmes punimeve artistike, nxënësit pasqyruan, sipas këndvështrimeve të ndryshme, ngjarjen historike të Çlirimit të vendit.