Ministry of Education and Sports

Konferenca Shkencore për 70-Vjetorin e Çlirimit

Të nderuar akademikë e profesorë,

Zonja e zotërinj,

 

Ndihem e privilegjuar që ndodhem sot në këtë Konferencë Shkencore Ndërkombëtare, organizuar me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit të vendit.

Më lejoni që në emër të Kryeministrit, Zotit Edi Rama, si dhe në emrin tim personal të përgëzoj Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për organizimin e kësaj Konference dhe të gjithë ligjëruesit e saj për kumtimet e përgatitura.

Konferenca, nisur nga  tematika e saj, ka në qendër të referimeve rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore. Konferenca juaj, me pjesëmarrjen edhe të studiuesve miq nga vende të tjera ka rëndësi jo vetëm për të përkujtuar e festuar një ngjarje të madhe të historisë shqiptare të shekullit të kaluar siç është  çlirimi i Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë. Ajo përmban vlera të veçanta e të çmuara shkencore që do të pasurojnë fondin historiografik për luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi në një nga periudhat më të errëta të historisë së njerëzimit.

Unë shpresoj se kjo Konferencë do të japi kontribute në procesin e rishkruarjes objektive të historisë së Luftës. Qeveria jonë e mbështet këtë proces por nuk ndërhyn në të. Siç edhe e ka theksuar disa herë Kryeministri Rama, historinë e shkruajnë historianët dhe askush tjetër.

Ne jemi të angazhuar e po nxisim rishkruarjen e teksteve të historisë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Qëllimi ynë është që t’u japim nxënësve dhe mësuesve tekste me nivel të përshtatshëm shkencor e objektiv për mësimin e historisë sipas moshës, me standarde evropiane. Do të synohet që këto tekste të zhvishen nga interpretimet e njëanshme, nga influencat e politikës, nga fryma e konfrontimit dhe e urrejtjes për popujt e tjerë e veçanërisht për fqinjët.

E kur nënvizojmë këto synime nuk do të thotë se do të ndryshohet historia si ngjarje. Historia ka ndodhur vetëm një herë dhe është detyrë e historianëve që duke shkruar të vërtetat e saj objektive të përcjellin mesazhe për të mësuar prej tyre, mesazhe mirëkuptimi, bashkëpunimi e bashkëjetese për brezat e rinj që të mos mbeten tek e shkuara, por të shikojnë e të ndërtojnë së bashku të ardhmen e tyre.

Për ngjarje të tilla historike si Lufta e Dytë Botërore historianët shkencëtarë pa ndërhyrje e pa u ndikuar nga të tjerët duhet të qartësojnë me fakte e dokumente të pakontestuara këtë meritë të madhe të shumicës së shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë që ditën të orientohen drejt, në rrjedhat e Luftës e u bashkuan me fuqitë e kombeve të bashkuara antifashiste.

Lufta e shqiptarëve pati karakter antifashist e nacionalçlirimtar. Ajo u bë masive nga idealet e larta të lirisë që frymëzuan me mijëra e dhjetëra djem e vajza, burra dhe gra, atdhetarë me bindje të ndryshme politike. Lufta, si çdo ngjarje historike duhet gjykuar e vlerësuar për kohën që ndodhi dhe për objektivat që kishte. Çdo gjykim tjetër jashtë kohës e objektivave të saj nuk ka asgjë të përbashkët me analizën shkencore historiografike, por është thjeshtë një spekulim i pastër. E përsëris. Ne besojmë se shkrimi i historisë u takon vetëm historianëve dhe askujt tjetër. Qeveria jonë, nuk ka asnjë ndikim në këtë proces.

 Ne duhet të çlirohemi nga e shkuara dhe nuk duhet të ndërtojmë barrikada të reja mes shqiptarëve si jehonë e ngjarjeve të së shkuarës dhe e ndarjeve të shkaktuara në luftë e nga lufta. Detyra jonë sot, në këtë përvjetor të shënuar historik është të nderojmë të rënët, dëshmorët e kombit, ata mijëra e mijëra vajza e djem që në lulen e moshës dhanë jetën e tyre të re në altarin e lirisë së kombit. E këtu nuk duhet të ketë dallime ngjyrash e bindjesh politike për të nderuar të gjithë dëshmorët që derdhën gjakun për lirinë e atdheut. Sigurisht, ne jemi të qartë dhe kuptojmë se kjo datë historike ku shqiptarët u gjendën në anën e duhur të historisë, është edhe momenti tjetër i devijimit  për të përshkuar një tjetër rrugë atë të vetëizolimit dhe luftës së klasave

Në përfundim shpreh bindjen se Konferenca jo vetëm që do të sjellë arritje të reja shkencore në ndriçimin e mëtejshëm të luftës së shqiptarëve për liri e pavarësi, por do të përçojë edhe mesazhe të shëndetshme e përbashkuese për ta festuar ditën e çlirimit nga pushtuesit nazi–fashistë si festën e të gjithë shqiptarëve.

 

Punë të mbarë Konferencës!