Ministry of Education and Sports

Reforma në Arsim nuk ndalet

Sot në 29 qendra në 12 qarqe të vendit, prej orës 11.00 deri në 13.00 është zhvilluar testimi me shkrim, i 5303 kandidatëve që kanë aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, por që kanë përmbushur kriteret ligjore për të qenë pjesë e mësuesisë pas verifikimit të dosjeve të tyre. 

 

Të dashur mësues,

 

Në fakt në këtë ditë, kemi qenë të gjithë dëshmitarë të një procesi shëmbullor.

 

Dëshmitar të një sistemi të ri që vendos kryefjalën tek cilësia, transparenca dhe meritokracia.

 

Ne sot i dhamë një përgjigje të fortë korrupsionit dhe emërimeve pa kriter në arsim, për të rikthyer cilësinë, për të rikthyer autoritetin e merituar të figurës së mësuesit në habitatin e tij natyral dhe për të ndërtuar vlera të reja që kalojnë përmes shkollave ku edukohen europianët e Shqipërisë të së nesërmes.

 

Të dashur prindër dhe mësues,

Në detyrën e lartë që më është caktuar, si Ministre e Arsimit, ndiej përgjegjësinë dhe ndaj me ju, vështirësitë e mëdha, sfidat dhe betejat që kemi përpara për rivendosjen e dinjitetit të mësuesit dhe garantimin e arsimit cilësor për fëmijët tanë.

Ju drejtohem juve të dashur prindër e mësues se jami të vendosur dhe të palëkundur për të çliruar njëherë e përgjithmonë arsimin shqiptar nga mediokriteti dhe paaftësia.

Tanimë një kapitull i ri ka nisur! Shumë punë kemi përpara.

Të dashur prindër,

Atë që si nënë nuk do të doja ti ndodhte kurre bijës time, kam detyrimin ta bëj të mos ndodhë për këdo fëmijë tuajin.

Ndaj, sot ne jemi krenar që arritëm të shpëtojmë deformimin e dijes dhe personalitetit të rreth 177 mijë fëmijëve shqiptar, që  të paktën në një lëndë merrnin mësim nga mësues pa arsim përkatës apo jashtë profilit.

Ditën e hënë në orën 10.00 trupa prej 150 vlerësuesve fillon punën për korrigjimin e testeve të sekretuara.  Sic kemi njoftuar në datën 22 dhjetor do të bëhët publikimi i rezultateve sipas ID së çdo aplikanti.

Renditja e aplikantëve sipas profileve për çdo qark do të jëtë pika e referimit për punësimet në arsim për plotësimin e vendeve vakante të shpallura për çdo Drejtori Arsimore Rajonale dhe çdo Zyrë Arsimore. Mbaruan radhët e pritjes para dyerve të drejtuesve, endja lartë e poshtë për të gjetur mikun e politikës apo të korrupsionit. Sistemi i ri i “Mësues për Shqipërinë” është përgjigja jonë për të çuar në çdo klasë e shkollë të vendit cilësinë. Brënda muajit maj do të realizohet testimi vlerësues për të gjithë mësuesit që janë në sistem.

 

Ndaj mësues të dashur,

E vendosur po aq jam, të jem gjithmonë aleati dhe zëri juaj në mbrojtjen me çdo kusht të interesave tuaja dhe për të bërë shumçka për të zbrapsur këdo që përmes rryshfetit të korrupsionit apo klaneve gjithfarëse e ka bërë të pamundur punësimin, mbështetjen dhe rritjen në karriere. Sot është një ditë e re.  Nesër e në vijim publiku do të njihet e prek standardin e vendosur.

Skeptikët, nihilistët e kundërshtarët po aq do të jenë aty duke bërë të pamundurën për të refuzuar apo errësuar të vertetat e këtij procesi. Ne do të flasim me rezultate për çdo fëmijë, me mbështetje për çdo mësues dhe informacion e bashkëpunim për çdo prind.

Reforma në arsim nuk ndalet, pasi fëmijët tanë janë të shtrenjtë.

 

Faleminderit!