Ministry of Education and Sports

FJALA E MINISTRES LINDITA NIKOLLA NË “ANALIZËN E MASAVE NË ARSIMIN E LARTË”

Përshëndetje!

Ky është raporti i katërt publik. Unë dëshiroj të falënderojë Arbin për prezantimin e bërë me shumë profesionalizëm dhe përkushtim për t’i shkuar të vërtetave deri në fund duke parë drejt së ardhmes evropiane dhe drejt çdo historie suksesi të studentëve në këtë vend.

Është raporti i katërt i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, jo thjesht si një qëllim në vetvete por për të mundësuar një standard të ri gjithëpërfshirje dhe transparence sepse ne besojmë se vetëm kështu do të gjejmë rrugën e duhur për të ecur përpara dhe për të transformuar gjithçka që nuk është në nivelin e duhur.

Gjatë këtij viti qeverisje, në MAS nuk është ndërmarrë asnjë nisme pa standardin e ri të gjithëpërfshirjes, pa komunikimin e ri të vendosur, duke dëgjuar e pyetur gjithë aktorët. Kjo është vendosmëria jonë, për të dëgjuar dhe reflektuar mbi të gjithë këndvështrimet e grupeve të interesit. Besoj, biem të gjithë dakord se sistemi për të cilin investojmë çdo ditë, nuk është në nivelin e duhur për sa i përket cilësisë.

Filozofia jonë është e qartë. Arsimi në përgjithësi dhe ai i lartë në veçanti është një shërbim publik që i ofrohet qytetarëve si përmbushje e një të drejte kushtetuese dhe e një të drejtë të pamohueshme. Këto dhe vetëm këto janë arsyet e një vullneti të plotë për të vendosur një vijë ndarëse mes reformave të domosdoshme dhe aspak partizane për të cilat sistemi ka nevojë dhe llogoreve të partizanërisë politike.

Përpara se të nxitojmë të japim përgjigje të nxehta aksioni politik, ulemi, dëgjojmë dhe analizojmë mbi të vërteta dhe jo mbi gjysmë të vërteta apo gënjeshtra, të patrazuar nga zelli i privatësisë së suksesit.

Nuk duam ishuj suksesi apo vetëkënaqësie për një punë që nuk mbështetet mbi të vërteta, por duam punë të vërtetë dhe rezultate të matshme nga gjithë kush. Ndaj dhe dëgjimi, komunikimi, analiza, gjithëpërfshirja, transparenca janë çelësi i suksesit të përbashkët në çdo nismë dhe reformë në arsimin e lartë.

Jam përulësisht mirënjohëse për çdo mbështetje, këshillë, kritikë që keni adresuar në punën tonë. Edhe pse kam studiuar matematikë kam një prirje për të mos renduar pas numrave, por për të ndërtuar shëndetshëm procese.

Besoj se takimet tona si ky, por jo vetëm, kanë qenë të shumta dhe ky është një tregues që flet për angazhimin tonë të ri dhe thelbin e çdo reforme. Po aq shëndetshëm jam e baraslarguar nga çdo dëlir suksesi për kinse reforma.

Është gjëja me e thjeshtë të mbyllësh sytë dhe të sillesh pa shpirt ndaj arsimit të lartë që është sektori më i rëndësishëm ku jo vetëm “gatuhet” e ardhmja, por sektori më i rëndësishëm ku të gjithë bashkë duhet të ndërtojmë atë që nesër do të jetë Shqipëria evropiane.

Analizat publike kanë treguar se verifikimi i kritereve të ligjshmërisë ishte një proces që i bëri IAL-të më të forta, në gjithë këto vite të gjata tranzicioni.
 

Miradministrimi i Maturës Shtetërore dhe studimi i kuotave duke dëgjuar të gjitha reflektimet e universiteteve ka mundësuar që sot, në të gjitha universitete publike, situata e të pranuarve në vitin e parë të garantoj një cilësi më të lartë.

Prezantimi po ashtu tregoi se lëvizjet në të ashtuquajtura reforma nuk kanë mundësuar që sistemi i arsimit të lartë të jetë i qëndrueshëm dhe me standarde cilësore. Por, ne nuk jemi këtu për të folur se sa keq ishte sistemi, por për të mundësuar bashkarish përmirësimin e situatave.

Arsimi i Lartë ka një papërputhshëm në raport me zhvillimin e arsimit profesional. Padyshim mbeten shumë të vakta ose të munguara lidhjet që arsimi i lartë publik ka me tregun e punës.

Nuk ka asnjë studim nga Arsimi i Lartë, qoftë për prioritetet e zhvillimit të vendit sepse një ftesë e tillë nuk i është bërë asnjëherë profesorëve, akademikëve, për t’i kthyer ata aty ku e kanë vendin, në tryezat e politikave më të mira të zhvillimit të vendit.

Zero bashkëpunimi me biznesin për kurikula të përshtatura me tregun e punë, sepse vetëm kështu bahet i mundur zhvillimi ekonomik dhe suksesi i studentëve, nesër ne tregun e punës. Pa folur për mundësinë e pashfrytëzuar të Ministrisë së Arsimit, qeverive me fakultete të edukimit për nevojat që ka sistemi arsimor për mësues.

Nuk kemi gjetur asnjë studim apo adresimi të një qasje të re që kërkon sistemi ynë arsimor parauniversitar me një cilësi të re të përgatitjes së mësuesve. Ndarja që bëhen në profilet e Masterit Profesional dhe Masterit Shkencor, është evidente që studentët me rezultate më të ulëta shkojnë tek Masteri Profesional, ku marrin edhe titullin e mësuesisë, duke i vënë vulën edhe me ligj që ata studentë që mbarojnë për Master Shkencor e kanë të pamundur të shërbejnë si mësues.

Por, besoj që ne jemi në kohë të duhur për  Ligjin e ri në Arsmin e Lartë, pas një pune mbresëlënëse dhe nëj standardi të ri politikbërje që vendosi Komisioni i Reformës në Arsimin e  Lartë.

Po   punohet për të draftuar ligjin e ri të arsimit të lartë nga ekspertët më të mirë të çështjeve ligjore dhe të arsimit të lartë dhe jemi po aq të bindur që po marrim gjithë kohën e nevojshme që të kemi një ligj që i shërben zhvillimit të arsimit, se sa një ligj nxitimthi që do shembte gjithçka që Komisioni ka ndërtuar.

Po me aq përgjegjësi ju garantoj se ajo që po ndodh në realitet në IAL, është po aq e duhura rrugë që reforma të gjej shtratin e nevojshme për të pasur sukses. Një ligj i mirë do të ketë rezultatet e veta, me IAL që u kthyen në shinat e ligjshmërisë, dhe me ato IAL që do të vijojnë pas procesit të akreditimit nga agjencia britanike, me të cilën javën që vjen firmoset fillimi i punës, me kuotat dhe tarifat e mirë studiuara, me një Këshill të ri Akreditimi, etj. Të gjitha këto janë realitetet të reja që garantojnë që ligji të bëj sukses.

Ne duam një situatë të re për ju të dashur student, për të ndryshuar dhe situatën në provimet e shtetit ku mbesin një masë e madhe, deri në mbi 40% . Kjo nuk mund të tolerohet më.

Treguam sot, me analiza dhe me fakte se ndërhyrjet me kuota dhe tarifa jo vetëm kanë qen të konsultuara, por kanë qen në ndërhyrje efikase që kanë përmirësuar raportin pedagog-student, por në të ardhmen mbetet ende shumë për të  bërë, qoftë nga mbështetja e buxhetit të shtetit për profesorët dhe infrastrukturën e IAL-ve dhe padyshim edhe për kërkimin shkencor.

Rritja e tarifës u tha që është e bazuar në kërkesën e IAL-ve dhe është në respekt të autonomisë së tyre. Duhet shtuar se janë 8.655 studentë  që vijnë nga shtresa në nevojë dhe janë 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit që shkojnë për arsimin e këtyre grupeve si dhe  6000 studentë me një buxhet prej 410 milionë lekësh i cili mundëson bursat e ekselencës.

Lejomëni që të përfitoj nga ky raport publik për t’i dhënë përgjigje edhe një grupi studentësh të cilët i përgëzoj për zellin qytetar, pozitiv dhe angazhimin e tyre në debatin për arsimin e lartë të cilët kanë bërë një peticion drejtuar qeverisë shqiptare i cili është ndjekur me shumë vëmendje nga Kryeministri dhe MAS.

Ndërhyrja në kuotat dhe tarifa ka përmirësuar disa standarde që ofrojnë një cilësi më të mirë në arsimin e lartë dhe nga ana tjetër është e sigurt se nuk ka pamundësuar përmbushjen e tarifës nga studentët dhe familjet e tyre.

Në lidhje me kërkesën e studentëve për anulimin e pagesës së 30% të tarifës së shkollës që në fillim të vitit, bëhet fjalë për një pagesë që 7.990 lekë për Bachelor dhe 18.738 lekë për Master Profesional 25.000 për Master Shkencor.

Kjo pagesë bën  të mundur përdorimin e këtyre fondeve që në fillim të vitit për IAL-të, për ti dalë përpara gjithë situatave të procesit të mësimdhënies dhe për të bërë në kohën e duhur gjithë ndërhyrjet që garantojnë cilësinë e mësimdhënies në auditore.

Ne këtë vit kemi rritur grupin e studentëve që përfitojnë nga kuotat e veçanta, por për shtresat në nevojë,  ndërhyrja që është bërë në Ligjin e ri të Arsimit të Lartë është e tillë që tarifa e tyre të jetë zero.

Jam plotësisht me kërkesat e studentëve, por ne nuk kemi shkopin magjik që të ndryshojmë realitetin brenda 24 orësh, por besoj të gjitha rrugët në të cilat ne po ecim bashkë janë ato të kthimit të IAL-ve në rrugën e ligjit e akreditimit, rregullimin e sistemi të arsimit parauniversitar që do të mundësojë prurje më cilësore në arsimin e lartë.

Në lidhje me infrastrukturën lejomëni të ndaj një moment të rëndësishëm që lidhet me bashkëpunimin për gjithë nevojat që ka në infrastrukturë Universiteti Politeknik, do fillojmë me Fakultetin e Gjeologjisë, por po adresojmë edhe ndërhyrjen në kampusin e ri të Universitetit të Tiranës.

I falënderoj studentët që kanë firmosur peticionin dhe për një vëmendje të re që ata sjellin në kërkesën e llogarisë ndaj institucioneve të shtetit, që lidhet jo vetëm me transparencën e fondeve që universitetet kanë por dhe cilësinë e punës në çdo fakultet.

Faleminderit!