Ministry of Education and Sports

Analiza e Masave në Arsimin e Lartë 2014

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot, analizën e masave të marra në arsimin e lartë për vitin 2014-të.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Lindita Nikolla deklaroi se kjo analizë tregon se ndërhyrjet në kuota dhe tarifa jo vetëm kanë qen të konsultuara, por kanë qen edhe ndërhyrje efikase që kanë përmirësuar, ndër të tjera edhe raportin pedagog-student.

Sipas Ministres, ekspertët më të mirë të çështjeve ligjore dhe të arsimit të lartë po punojnë për të draftuar ligjin e ri të arsimit të lartë, pas Raportit që prezantoi Komisioni.

“Po me aq përgjegjësi ju garantoj se ajo që po ndodh në realitet në Institucionet e Arsimit të Lartë, është rruga e duhur që  Ligji i ri i Arsimit të Lartë të gjejë shtratin e nevojshme për të pasur sukses. Një ligj i mirë do të ketë rezultatet e veta, me IAL që u kthyen në shinat e ligjshmërisë, me ato IAL që do të vijojnë pas procesit të akreditimit nga agjencia britanike, me të cilën së shpejti firmoset fillimi i punës. Gjithashtu ligji do te ketë sukses me kuotat dhe tarifat e studiuara mirë, me një Këshill të ri Akreditimi, etj”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se rritja e tarifës është e bazuar në kërkesën e IAL-ve dhe është në respekt të autonomisë së tyre, por nuk duhen harruar se janë 8.655 studentë  që vijnë nga shtresa në nevojë dhe janë 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit që shkojnë për arsimin e këtyre grupeve si dhe  6000 studentë me një buxhet prej 410 milionë lekësh i cili mundëson bursat e ekselencës.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla iu përgjigj edhe kërkesave të studentëve, të cilët i kanë drejtuar një peticion qeverisë. Në lidhje me një prej kërkesave të tyre  për anulimin e pagesës prej 30% të tarifës që në fillim të vitit akademik, Ministrja deklaroi se bëhet fjalë për një pagesë prej 7.990 lekësh për studimet Bachelor dhe 18.738 lekë për Masterin Profesional e 25.000 lekë për Masterin Shkencor.

“Kjo pagesë bën  të mundur përdorimin e këtyre fondeve që në fillim të vitit nga IAL-të, për t’i dalë përpara gjithë situatave të procesit të mësimdhënies dhe për të bërë në kohën e duhur gjithë ndërhyrjet që garantojnë cilësinë e mësimdhënies në auditorë”, tha Lindita Nikolla.

Gjatë prezantimit të analizës, Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku ju referua kuotave dhe tarifave të studimit në IAL publike, për vitin akademik 2014-2015.

Në vitin 2013-të u akorduan 29.390 kuota, ndërkohë që u regjistruan vetëm 23.689 studentë. Ka pasur 5701 kuota më shumë se kërkesa. Kurse në vitin 2014-të janë miratuar 19.196 kuota nga 22.000 që kanë kërkuar universitetet publike. Pra vetëm 2800 më pak se kërkesa.

Sipas llogaritjeve 69% e maturantëve do të studiojnë këtë vit në IAL publike, ata që do të studiojnë jashtë vendit apo në IAL private.

Kuota nuk janë miratuar për programe që kanë pasur më pak se 10 studentë, apo programe që kanë pasur mesatare të gjithë studentëve më të ulët se nota 5.5.

Për studimet Master, në vitin 2013-të u regjistruan në MP – 5.559 studentë dhe në MSH – 5.890 studentë, ndërsa  në 2014-të u miratuan në total, MP – 5.823 kuota (+264) dhe MSH  – 6.087 kuota (+197)

Tarifat vitin e kaluar kanë qenë nga 14.353 lekë në 44.995 lekë, kurse këtë vit  nga 20.000 lekë  në 45.000 lekë. Pra një rritjet mesatare 6.285 lekë, vetëm 17 lekë në ditë.

Të pranishëm në analizën e arsimit të lartë ishin, rektorët e universiteteve publik, dekanë, profesorë, studentë, etj, të cilët MAS i ka përfshirë gjithnjë në çdo nismë e reformë që ka ndërmarrë.

 

Prezantimi – ANALIZA “ARSIMI I LARTË NË SHQIPËRI”