Ministry of Education and Sports

Inspektim City University

Duke marrë shkas nga disa reklama televizive dhe postera të të ashtuquajturit City University Studies Albania, Ministria e Arsimit dhe Sportit nisi menjëherë monitorimin e ligjshmërisë për aktivitetin e këtij subjekti.

Grupi i punës inspektoi mjediset e tij, (Autostrada Tiranë-Durrës, Km 3), ku pasi takoi drejtuesit dhe administratorët e këtij subjekti, u informua në lidhje me statusin ligjor të kësaj sipërmarrjeje, e cila nuk është licencuar për të ofruar shërbim në fushën e edukimit në territorin shqiptar.

Subjekti në fjalë ka aplikuar për licencë pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit, për të hapur një institucion parauniversitar plotësues, por akoma nuk është licencuar për këtë qëllim.

Ky subjekt, ka ndërtuar një faqe interneti ww.cityu.al e cila nuk shpjegon qartë se çfarë ofron ky institucion në të vërtetë, dhe ndërkohë ofron aplikacionin për aplikim online të menjëhershëm për regjistrim në kurse.

Grupi i punës nga MAS i bëri me dije drejtuesve, se nuk mund të reklamojnë në faqen e internetit, të pavërteta dhe njëkohësisht të paraqesin si real një institucion që akoma nuk është licencuar dhe kërkoi heqjen e menjëhershme të reklamave dizinformuese për publikun.

Gjatë inspektimit nga përfaqësuesit e subjektit u pohua se nuk ka asnjë student të regjistruar.

Me kërkesë të MAS, ky subjekt hoqi, nga godinën qendrore e tij, tabelën e përmasave të mëdha, me emrin e subjektit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit  i ka kërkuar:

1. Bashkisë Tiranë heqjen e të gjitha reklamave të këtij subjekti nga stendat e afishimit që janë në administrim të Bashkisë, pasi dizinformojnë publikun.
2. Autoritetit të Mediave Audiovizive për marrjen e masave për heqjen e të gjitha reklamave dizinformuese në media.
3. Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për kontroll të specializuar të subjektit.

Duke qenë se ky subjekt, ka filluar veprimtarinë pa licencimin/miratimin përkatës nga organi kompetent, MAS i ka rekomanduar QKR-së marrjen e masave për çregjistrimin të tij nga regjistri tregtar.  
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë në arsimin e lartë.