Ministry of Education and Sports

Të festojmë së bashku duke promovuar vlerat njerëzore

Nisma “Të festojmë së bashku” iu bashkua atmosferës festive dhe argëtuese të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2015 në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin duke pohuar rëndësinë e promovimit të vlerave njerëzore te fëmijët në grupmosha të ndryshme. Ajo që fëmijët transmetuan dhe mësuan nga  njëri-tjetri ishte mesazhi i bashkëpunimit, ndihmës dhe solidaritetit; dashurisë njerëzore dhe mbështetjes ndaj bashkëmoshatarëve në nevojë dhe vështirësi.

Aktivitete të tilla shërbejnë si model për t’u treguar fëmijëve se parimet dhe vlerat njerëzore kanë anën e tyre praktike dhe reale, përtej asaj që mësohet në programet dhe lëndët mësimore. Tashmë, organizime të tilla të cilat po realizohen dhe koordinohen nga vetë Qeveritë e Nxënësve, kanë si qëllim mundësimin e përvojave të paharruara për vetë fëmijët. Ata do të mund të flasin në mënyrë konkrete për aftësitë dhe angazhimin e tyre në këtë nisëm humanitare, pavarësisht moshës dhe mundësive të këtyre fëmijëve.

Ditën e djeshme, nisma “Të festojmë së bashku”, iu bashkua fëmijëve të policëve të rënë në krye të detyrës, ku të mbledhur në shtëpinë e oficerëve, nxënesit e shkollave "Ismail Qemali", "Sami Frashëri" dhe "A.Z.Çajupi" shpërndanë dhuratat e përgatitura prej tyre për këta femijë. Ndërsa ditën e premte, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla do të jetë e pranishme në qytetin e Shkodrës ku do të festojë me fëmijët e ngujuar dhe do të prezantojë gjithashtu projektin e ri “School Me’’, projekt i cili synon përmirësimin e kushteve dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies për këtë kategori fëmijësh.

Ndërkohë që rrjeti i binjakëzimeve të ngritura në çdo shkollë do të vazhdojë të funksionojë në rolin e ndërlidhësit për aktivitete të mëtejshme si konkurse, ditë për shkëmbimin e përvojave dhe veprimtari sportive për të mbajtur të gjatë dhe të qëndrueshëm bashkëpunimin dhe për të përforcuar mesazhin e shkëmbimit të përvojave përtej dallimeve.