Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla në konferencën për prezantimin e broshurës së programit “Erasmus +

E nderuar Zonja Ambasadore e BE-së,

Të nderuar kolegë Ministra,

Të nderuar studentë, pjesëmarrës,

 

Për mua si Ministre e Arsimit është një kënaqësi e veçantë që sot jam pjesë e kësaj konference, po është edhe një përgjegjësi e re për sistemin arsimor shqiptar në Shqipëri. Programi “Erasmus Plus” përbën padyshim një ndër mjetet thelbësorë për përmirësimin e cilësisë së universiteteve shqiptare.

Por, përpara se të vijoj me atë që ky program i ri do të sjellë në cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri, lejomëni të përsëris atë që tha edhe Ambasadorja, që ky program është vijim i disa ndihmave tejet të vyera që BE ka adresuar ndër vite për sistemin arsimor në Shqipëri.

Përmend këtu programin TEMPUS, i cili ka mundësuar që universitetet të rrisin kapacitetet dhe cilësinë e burimeve njerëzore përmes shkëmbimeve dhe trajnimeve të stafit akademik dhe administrativ. Përmes këtij programi, gjatë periudhës 2007-2012, 415  pedagogë shqiptarë janë kualifikuar dhe trajnuar në universitetet partnerë, 108 studentë kanë kryer lëvizshmëri dhe 221 pedagogë të huaj kanë dhënë leksione në universitetet shqiptarë. Dhe duhet shtuar se vetëm gjatë vitit akademik 2013-2014, 116  pedagogë shqiptarë janë trajnuar dhe kualifikuar në universitetet partnerë të BE-së.

“Erasmus Mundus”, ka kontribuar fort për rritjen e numrit të shkëmbimeve studentore dhe  për përmirësimin e cilësisë së studimeve. Ky program ka mundësuar që 115 studentë shqiptarë dhe 9 studiues të përzgjidhen për të ndjekur një master ose doktoratë të përbashkët, 216 studentë të kryejnë një periudhë të shkurtër studimi nga niveli bachelor deri Phd dhe rreth 80 anëtarë të stafeve të universiteteve të kryejnë lëvizshmëri për shkëmbim përvoje në universitete evropiane.

Nuk ka dyshim se eksperienca me programet “TEMPUS” dhe “Erasmus Mundus” ka sjellë përmirësime cilësore në universitetet shqiptare, por ka ende shumë për të bërë, sepse jo gjithmonë impakti i projekteve të këtyre programeve shpesh ka qenë ai i duhuri.

Aktualisht synohet koordinimi i projekteve  për rritjen e cilësisë në universitetet shqiptarë të programit “Erasmus Plus” me reformën në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Këtë koordinim e lehtëson edhe vetë programi “Erasmus Plus” përmes një sërë mundësish në formën e projekteve strukturore.

Duke koordinuar  mundësitë e ofruara nga Erasmus Plus me kuadrin e politikave publike që qeverisin arsimin e lartë këto projekte nuk do të jenë thjesht një histori suksesi të disa studentëve apo pedagogëve të veçantë, por do të jetë një bazë e re e shëndetshme për të shënjuar një cilësi të re në universitetet tona.

Projektet e “Erasmus Plus”  do të  kontribuojnë  dukshëm  për realizimin e një prej qëllimeve kryesorë të reformës në arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor, krijimin e mekanizmave efikase për kontrollet e cilësisë. 

Ne, tani. jemi në një moment të ri, jo vetëm me ligjin e ri të arsimit të lartë, që ju dhe gjithë grupet e interesit do të keni mundësi ta debatoni, por njëherësh universitetet shqiptare në fund të janarit e në fillim të shkurtit do të kenë një përvojë të re që vjen nga një agjenci e njohur britanike, anëtare e ENQA-s, e cila do të mundësojë procesin e akreditimit të të gjitha IAL-ve publike dhe private. Në të njëjtën kohë mundësohet edhe një histori e re edhe për agjencinë tonë të akreditimit, në mënyrë që, ne të kemi në vitet në vijim mekanizmat e duhur, sipas standardeve të BE-së për të siguruar cilësi në arsimin e lartë.

Aktualisht, vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit po aplikon si partner institucional në tri projekt- propozime në kuadër të programit “Erasmus Plus” që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë në universitetet shqiptare. Këto projekt-propozime përfshijnë si universitetet publike shqiptarë, ashtu edhe ato private dhe përbëjnë një mundësi të re për të bërë të mundur përfshirjen e arsimit shqiptar në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Duke përfunduar do të theksoja se programi “Erasmus Plus” ka në qendër cilësinë e edukimit, universitetet. Ata dhe vetëm ata janë partnerët dhe përfituesit kryesorë të të gjithë komponentëve të tij. Ministria e Arsimit dhe Sportit do të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për universitetet që do të marrin pjesë në “Erasmus Plus”, por iniciativa ju takon juve. Iniciativa u takon profesorëve të apasionuar dhe studentëve të talentuar, i takon stafit akademik shqiptar. Është në mundësinë tuaj që hapësirat e programit “Erasmus Plus” t’i shndërrojmë në mjete konkretë për arritjen e objektivave për përmirësim cilësor të arsimit të lartë. 

 

Suksese në aplikimet tuaja!

Ju faleminderit!