Ministry of Education and Sports

Konferenca për prezantimin e broshurës së programit “Erasmus +

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në konferencën për prezantimin e broshurës së programit Erasmus +, i cili do të mundësojë që studentë e pedagogë të përfitojnë përvoja duke studiuar apo u trajnuar jashtë shtetit.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e cilësoi këtë program si një ndër mjetet thelbësorë për përmirësimin e cilësisë së universiteteve shqiptare dhe aktualisht po synohet koordinimi i këtyre projekteve me reformën në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

“Aktualisht synohet koordinimi i projekteve  për rritjen e cilësisë në universitetet shqiptarë të programit Erasmus Plus me reformën në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Këtë koordinim e lehtëson edhe vetë programi Erasmus Plus përmes një sërë mundësish në formën e projekteve strukturorë. Duke koordinuar  mundësitë e ofruara nga Erasmus Plus me kuadrin e politikave publike që qeverisin arsimin e lartë, këto projekte nuk do të jenë thjesht histori suksesi të disa studentëve apo pedagogëve të veçantë, por do të jenë një bazë e re e shëndetshme për të shënjuar një cilësi të re në universitetet tona”, u shpreh Nikolla.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, tha se së shpejti ligji i ri i arsimit të lartë, do të debatohet nga grupet e interesit e në të njëjtën kohë në fund të muajit janar, do të kalojnë në procesin e akreditimit nga agjencia britanike, të gjitha IAL-të në vend.

“Ne tani jemi në një moment të ri, jo vetëm me ligjin e ri të arsimit të lartë, që ju dhe gjithë grupet e interesit do të keni mundësi ta debatoni, por njëherësh universitetet shqiptare në fund të janarit e në fillim të shkurtit do të kenë një përvojë të re që vjen nga një agjenci e njohur britanike, anëtare e ENQA, e cila do të mundësojë procesin e akreditimit të të gjitha IAL-ve publike dhe private. Në të njëjtën kohë mundësohet edhe një histori e re edhe për agjencinë tonë të akreditimit, në mënyrë që ne të kemi në vitet në vijim mekanizmat e duhur sipas standardeve të BE-së për të siguruar cilësi në arsimin e lartë”, tha Lindita Nikolla.

Erasmus  Mundus, ka kontribuar fort për rritjen e numrit të shkëmbimeve studentore dhe  për përmirësimin e cilësisë së studimeve. Ky program ka mundësuar që 115 studentë shqiptarë dhe 9 studiues të përzgjidhen për të ndjekur një Master ose Doktoratë të përbashkët, 216 studentë të kryejnë një periudhë të shkurtër studimi nga niveli Bachelor deri PhD dhe rreth 80 anëtarë të stafeve të universiteteve të kryejnë lëvizshmëri për shkëmbim përvoje në universitete Evropiane.

Të pranishëm në prezantimin e broshurës së programit Erasmus +, në sallën “Iliria”, ishin edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe Ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vllahutin.

Erasmus + do të sigurojë 14.7 miliardë euro për një periudhë 7-vjeçare për forcimin e arsimit, trajnimit, risinë dhe sporteve në Evropë.

 

Ketu mund te gjeni dhe udheuesin Erasmus+

 

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla në konferencën për prezantimin e broshurës së programit “Erasmus +