Ministry of Education and Sports

Jo doping - Sport i pastër

Komisioni Kombëtar Anti-Doping (KKAD), mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe UNESCO, organizoi sot seminarin “Jo Doping – Sport i Pastër”,  ku ndër të tjera u prezantua, “Kodi Ndërkombëtar Anti-Doping” dhe ndryshimet në të për vitin 2015.

Në 1 janar të këtij viti hyri në fuqi “Kodi Ndërkombëtar Anti-Doping 2015”, së bashku me listën e re të substancave dhe metodave të ndaluara. Kodi i ri rrit dukshëm vigjilencën, investigimin, sanksionet dhe saktëson marrëdhëniet e tërë faktorëve, pjesëtarë të zhvillimit të procedurave e metodologjisë stërvitore.

Në këtë kuadër Shqipëria ka marrë miratimin  e Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA) për të vënë në zbatim një rregullore të re të funksionimit të Komisionit Kombëtar Anti-Doping, në përputhje me Kodin Anti-Doping të WADA-s.

Seminari dy ditor zhvillohet në kuadër të zbatimit të Projektit “Zhvillimi i  Programit  Kombëtar të Edukimit dhe Zhvillimit të Procedurave Administrative të Komisionit Kombëtar Anti-Doping në forcimin e luftës kundër përdorimit të substancave dhe metodave të ndaluara në sport”.

Në fokus të punimeve dhe diskutimeve të këtij seminari janë çështje si: përmirësimi i legjislacionit në fushën anti-doping, edukimi anti-doping në shkollë, standardet ndërkombëtare të testimit, hetimit dhe të përjashtimit për terapi 2015, Shkeljet e rregullave anti-doping, etj.

Në përputhje me rregulloren e re, të miratuar nga Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA) si dhe me rekomandimet e ekspertëve të Këshillit të Evropës mbi organizimin ndërkombëtar anti-doping, MAS është e angazhuar në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar Anti-Doping për arritjen e standardeve ndërkombëtare për një sport të pastër.

Në seminarin, ku i pranishëm ishte edhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, u diskutua edhe për gjetjet e Raportit të Këshillit të Evropës për Komisionin Kombëtar Anti-Doping. Krahas aktorëve dhe faktorëve të rëndësishëm në fushën e sportit referoi edhe  Këshilltari i Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA), Alessandro Donati.