Ministry of Education and Sports

Bibliotekat e shkollave në shërbim të komunitetit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla lançoi sot, në gjimnazin “Zihni Magani” në Peqin, nismën për pasurimin e bibliotekave të shkollave në kuadër të projektit të MAS, “Shkolla si Qendër Komunitare”.

Ministrja Nikolla vlerësoi nismën “Më thuaj çfarë biblioteke ke, të të them se çfarë shkollë je” dhe ftoi të gjithë nxënësit të jenë gjithnjë e më pranë bibliotekave. “Krahas kësaj nisme, ne do të krijojmë një situatë të re për fondin e librit që do të mundësojë që i gjithë ky proces të shërbejë për nxënësit si një kontakt i ri me librin, por edhe si një zgjerim i shkollës duke përfshirë komunitetin”, tha Nikolla.

Komuniteti, nxënësit, prindërit, mësuesit, sipërmarrësit kanë dhuruar tekste për pasurimin e bibliotekave në gjimnazin “Zihni Magani”, Peqin dhe gjimnazin “M.K.Ataturk”, Pajovë. Ndërkohë që kjo nismë do të përfshijë edhe shkolla të tjera në vend.

Në kuadër të hapjes së shkollave ndaj komunitetit nëpërmjet përfshirjes së tij në jetën e shkollës, synohet forcimi dhe pasurimi i bibliotekave të shkollave.

Ministrja Nikolla dhuroi vetë simbolikisht disa libra për bibliotekat e dy shkollave, në Peqin dhe Pajovë dhe shprehu mbështetjen e vazhdueshme të MAS që shkolla të jetë gjithnjë e më shumë në shërbim të komunitetit e që dyert e saj mos të mbyllen me mbarimin e mësimit.

Bibliotekës në gjimnazin “Zihni Magani” iu shtuan 1800 libra, një pjesë e të cilave janë dhuruar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ndërsa biblioteka e gjimnazit “ M.K.Ataturk” është krijuar nga e para dhe ka si fillim 1000 libra të rinj.