Ministry of Education and Sports

Shqipëri-Kosovë intensitet bashkëpunimi në gjithë sistemin arsimor

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka pritur sot në një takim zyrtar Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami.

Pas takimit të delegacioneve, dy ministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, ku ndër të tjera u ra dakord për të vijuar me të njëjtin intensitet bashkëpunimin në sistemin e arsimit parauniversitar dhe atë të lartë.

Ministrja Nikolla deklaroi se në vijim të Deklaratës së Prizrenit mes qeverive të dy vendeve, tashmë bashkëpunimi me Kosovën është një realitet përtej vlerës simbolike.

“Së bashku me Ministrin e Kosovës ndamë vizionin e përbashkët për të vijuar kthesën e madhe që ka si tregues cilësinë në arsimin parauniversitar. Ndaj ekipet tona të përbashkëta që mundësuan unifikimin e kornizës kurrikulare të orientuar nga kompetenca në 26 shkolla, konkretisht në klasat e para dhe të gjashta, do të vazhdojnë të intensifikojnë punën për implementimin e kësaj reforme në gjithë sistemin parauniversitar”, tha Lindita Nikolla.

Krahas bashkëpunimit në sistemin e arsimit parauniversitar, ministrat e të dy vendeve ranë dakord për një bashkëpunim edhe në sistemin e arsimit të lartë, duke qenë se të dy vendet janë duke draftuar ligjin e ri të arsimit të larë.

“Ky draft është një sfidë e përbashkët që do të mundësojë mobilitetin e studentëve, cilësi më të mirë për universitetet tona publike dhe private, por në të njëjtën kohë përmes standardeve të vendosura në Shqipëri dhe Kosovë do të mundësohet anëtarësimi i institucioneve tona të arsimit të lartë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, tha ministrja Nikolla.

Ministrja shtoi se ekipet e përbashkëta për projektligjin e arsimit të lartë  do të kenë mundësi të ndajnë vizionet e tyre dhe qasjet e reja që kanë si perspektivë cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Në të njëjtën kohë ekipe do të vijojnë punën edhe për programet e përbashkëta si Erasmus +.

Nga ana e tij, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami vlerësoi bashkëpunimin e bërë që prej Deklaratës së Prizrenit dhe shprehu impenjimin për të harmonizuar sa më shumë programet mësimore të arsimit parauniversitar mes dy vendeve.

Gjithashtu, Ministri i Kosovës vlerësoi debatin e hapur në Shqipëri dhe Kosovë për ligjin e ri të arsimit të lartë dhe theksoi se me rëndësi është autonomia e universiteteve dhe vendosja e sistemeve të përhershme të monitorimit për cilësinë e tyre.

“Ne do të koordinohemi me grupet tona teknike në mënyrë që debati për perspektivën e universiteteve të jetë një debat racional që lidhet ngushtë me ambiciet tona për t’u përfshirë në zonën evropiane të arsimit të lartë si dhe të punojnë së bashku për universitete të forta dhe autonome”, tha  Ministri Bajrami.

Ndër të tjera, Ministri Bajrami vlerësoi mbylljen e 18 Institucione të Arsimit të Larë në Shqipëri dhe rikthimin e ligjshmërisë së universiteteve private e publike, ç’ka sipas tij pati ndikim edhe në Kosovë.